“Qasje për të gjithë” vë në pah vështirësitë që kanë personat me aftësi të kufizuara

21 Gusht, 2020 - 9:30 am

Suada Qorraj

“Qasje për të gjithë” ishte tema që kishte bërë bashkë panelin për diskutim i cili u bajt mbrëmë në kuadër të festivalit “Anibar”. Pjesë e këtij paneli ishin: Matilda Zizolli – QKM Tiranë, Rijad Mehmeti – Avokues i të drejtave të fëmijëve dhe moderatore: Dafina Zuna Hoxha – UNICEF Kosova, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrësit e këtij paneli pasqyruan dhe diskutuan urgjencat e personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjithë përfshirja në arsim, punësimi e deri tek përshtatja e infrastrukturës, me fjalë të tjera, për mundësitë e qasjes për të gjithë.

Pjesë e diskutimit të këtij paneli ishte edhe nevoja për kujdes që kanë personat me nevoja të veçanta. Sipas panelistëve, personat e kësaj kategorie shpesh herë nuk mund të dalin nga shtëpia sepse nuk kanë qasje në qytet.

Gjatë këtij diskutimi, Rijad Mehmeti u shpreh se qasja në shkolla për personat me aftësi të kufizuar është e mangët.

“Shkollat kanë qasje me të vërtetë të mangët, është mungesë e vetëdijesimit plotësimi i të drejtave sepse mendoj që një fëmijë duhet të ketë qasje në të gjithë ambientin e shkollës sepse të gjithë janë të barabartë”, u shpreh ai.

Ndërkaq Matilda Zizolli tha se nuk duhet t’i viktimizojmë personat me nevoja të veçanta por as jetën e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që mos t’i shohim as mos t’i viktimizojmë ata si individë, as të viktimizojmë jetën e tyre. Për neve një orë kufizim, d.m.th. mos marrje e gjërave të përditshmërisë tonë na duket e tepërt, imagjinoni se çfarë ndodhë me një fëmijë i cili çdo ditë e ka këtë lloj kufizimi”, deklaroi ajo.

Ndërkaq sipas Rijad Mehmetit, personat me aftësi të kufizuara nuk kanë nevojë për një dorë ndihmëse por për qasje në shërbime në mënyrë të pavarur.

“Njerëzit me aftësi të kufizuar mund të jenë të pavarur nuk ka nevojë dora e dikujt çdoherë të jetë në ndihmën e tyre, qasja fizike, alfabeti i brajlit, gjuha e shenjave, do të thotë çka do që mund të ndihmoj jetën e tyre e bënë më të pavarur”, ka shtuar më tutje Mehmeti.

Duke u nisur nga aspekti personal, Rijadi, tregoi se nuk mund të dalë në Prishtinë pa pasur ndonjë asistues e që në të shumtën e rasteve janë babai ose nëna.

Gjatë këtij paneli u diskutua edhe për vështirësitë me të cilat janë përballur personat me aftësi të kufizuar gjatë pandemisë.

Matilda Zizolli tha se ka pasur probleme të shumta ngase as prindërit, as fëmijët e mbi të gjitha as personeli i specializuar nuk ishte i përgatitur për një situatë të tillë. Ajo veçoi si një nga rastet më të vështira, qasjen e vështirë që kanë pasur me personat e prekur me autizëm. Sipas saj e vetmja mënyrë që tu ndihmonin fëmijëve ishte që tu mbanin trajnime prindërve.

Ndërkaq Mehmeti u shpreh se mësimi online për të ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë sepse ai nuk është përballur me vështirësitë që përballet çdo ditë. Gjatë diskutimit ai vuri në pah edhe faktin që jo çdo nxënësi i duhet një laps e një fletore, sepse sipas tij për të është më e përshtatshme të mësoj me anën e një kompjuteri.

Rijad Mehmeti rrëfeu me entuziazëm faktin që për herë të parë arsimtarët nuk i thanë t’i kryente e t’i dorëzonte detyrat më vonë për shkak të pamundësisë së tij që të jetë në hapin e shpejtë me të tjerët. Ai tha se për shkak se përdorimi i teknologjisë kishte lehtësuar procesin për të ai tashmë dërgonte detyrat me kohë, pa pasur nevojë për një orar shtesë.

Festivali “Anibar” sonte mban diskutimin e radhës me temë “Solidariteti në Veprim”. / KultPlus.com

.

Të ngjajshme