Qendra e Tiranës atraksion urban, pret çdo ditë mijëra turistë

28 Prill, 2024 - 4:00 pm

Tirana vitet e fundit është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga rrugët dhe sheshet e Tiranës të mbushur me turistë të huaj.

Rama tha se qendra e Tiranës po transformohet befasueshëm në një atraksion urban duke pritur çdo ditë mijëra turistë nën një ofertë fantastike.

“Turistët qëndrojnë në radhë për të shijuar sitet më të bukura që përfaqësojnë historinë, kulturën e harmoninë fetare karakterizuese”, theksoi Rama.

Turistët i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej” tek “Piramida”, në Bunk Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj.

Transformimi që ka pësuar Tirana po zë çdo vit gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës./ KultPlus.com

Të ngjajshme