Qendra Kosovare për Studime Gjinore reagon për deklaratën seksiste të Dardan Islamit

18 Janar, 2021 - 9:15 pm

Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit për deputet, Dardan Islami ndaj Duda Balijes, duke e cilësuar si seksiste, shkruan KultPlus.

Përderisa kandidati për deputet, Islami ka thënë se kur të zë vendin e tij në Kuvend do të ulet afër deputetes Duda Balja, Qendra Kosovare për Studime Gjinore nëpërmjet një komunikate e ka vlerësuar si seksiste dhe me përbajtje të gjuhës së urrejtjes.

“Me shqetësim hasëm në një deklaratë të kandidatit për deputet, Dardan Islami i cili me një gjuhë seksiste adresohet se “Une kur te bohna deputet, du mu ul ngat Duda Balijes!?”. Kjo deklaratë seksiste është e dëmshme për zhvillimin e jetës politike vendore në parim me respektimin e të drejtave dhe liritë e njeriut, duke promovuar gjuhë seksiste ndaj grave politikane”, kanë shkruar QKSGj.

Tutje, në deklaratën e kësaj Qendre bëhet thirrje për mos përdorim të gjuhës seksiste dhe ofenduese nga kandidatët e subjekteve politike për legjislaturën e re në vend.

“QKSGj e dënon këtë gjuhë të urrejtjes dhe bënë thirrje që qëndrime të tilla, të bëra nga politikanët burra të mos nxiten dhe të mos normalizohen, duke qenë se mund të jenë ofenduese për gratë të cilat janë apo aspirojnë të kyçen në politikë”, thuhet tutje në reagim.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore reagon sa herë që haset në sferën publike pabarazi, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes mbi baza gjinore. / KultPlus.com

Të ngjajshme