Qeveria ashpërson masat edhe për ngjarjet kulturore

2 Nëntor, 2020 - 9:30 am

Ngjarjet kulturore do të mund të mbahen vetëm me 30 për qind të shfrytëzimit të hapësirave. Kjo masë shtrënguese ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, pas një vendimi të marrë të dielën.

Shteti ka ndryshuar masat në raport me pandeminë shkaku i numrit të lartë të rasteve që rezultojnë pozitive me COVID-19. “Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave, teatrove, bibliotekave, filarmonisë, galerive, ansambleve, baletit, kinemave, qendrave rinore, muzeve, qendrave të kulturës me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlejë për të gjitha aktivitetet, si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, gjithmonë duke u bazuar në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekt”, shkruhet në vendimin e Qeverisë, i cili hyn në fuqi nga sot (e hënë).

Pas gati shtatë muajsh me aktivitete të pezulluara, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që teatrot dhe kinematë t’i riktheheshin punës në fund të shtatorit. Asokohe ishte lejuar që këto institucione të vepronin me 40 për qind të kapaciteteve shkaku i pandemisë. Teatrot, kinematë dhe disa institucione të tjera kulturore kishin pezulluar aktivitetin qysh prej 13 marsit.

Hapja e teatrove ka qenë kërkesë e komunitetit artistik tash e disa javë. Institucionet shtetërore deri të premten mbrëma nuk kanë dhënë një afat konkret se kur mund të hapen teatrot. Kjo kishte bërë që programet vjetore të mos jetësohen, por edhe kriza të thellohet. Përderisa në ditën e 14-të të këtij muaji janë hapur edhe shkollat, për teatrot nuk kishte asgjë konkrete. Për udhëheqësit e teatrove, qofshin ato publike apo private, qasja e shtetit ishte krejt e pakuptimtë.

Një peticion i nisur nga qendra “Multimedia” për hapjen e teatrove ishte nënshkruar nga mbi 500 veta. Në peticion jepen një varg arsyesh se përse duhen hapur teatrot.

“Hapja e teatrove, me masa të caktuara të sigurisë, do ta shpëtonte skenën teatrore nga kolapsi total në të cilin gjendet aktualisht dhe do të kontribuonte në masë të madhe në jetën sociale në Kosovë, të rënduar nga pandemia”, shkruan aty. Në peticion është thënë po ashtu se teatrot në Kosovë kanë kapacitete për t’i përfillur të gjitha masat e sigurisë që konsiderohen të domosdoshme për sigurinë e publikut dhe të artistëve. Sipas peticionit, hapja e teatrove në vend duhet të përvijojë trendin e masave të zbatuara në shumicën e vendeve të Evropës, përfshirë edhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut./ Koha.net/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme