Qeveria e përsërit: S’ka rroga për ata që e mbajtën grevën

4 Tetor, 2022 - 11:15 am

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka përsëritur se nuk do të ekzekutohen pagat për ata që ishin në grevë, por do të kompensohen mësimdhënësit që e kanë mbajtur mësimin.

Reagimi i Kryeziut vjen pasi e ka shpërndarë një status të Arbërie Nagavcit, ministre e Arsimit – e cila i akuzoi komunat për këtë çështje “Parimi ‘pagë për punë’ do të respektohet. Mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Çka tha Nagavci?
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se komunat, si përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk i kanë dërguar të dhënat për mësimdhënësit në Ministrinë e Financave, derisa ka njoftuar se pagat janë realizuar për ata që i kanë pasë të dhënat.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Ajo shtoi se sot do ta publikojnë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit.

Mbi këtë vendim, Nagavci shkruan se do të ketë kompensim, por për punën e bërë.
Kjo deklaratë e saj vjen pasi Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të ketë ekzekutim të pagave për muajin shtator për grevistët.

“Ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga SBASHK, janë nxënësit, fëmijët tanë. Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim. Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer. Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi. Dhjetëra takime me vullnet të njëanshëm, me përpjekje të njëanshme për rezultate të synuara që të jenë të përbashkëta”, ka thënë Nagavci.
Ajo tha se ligji duhet të respektohet në tërësi dhe se premtimet që i kanë bërë do t’i mbajnë.

“Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve”. / Express / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme