Qeveria merr masa shtesë pas konfirmimit të rasteve me koronavirus

14 Mars, 2020 - 9:00 am

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, në të cilën ka marrë vendim për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me koronavirus COVID-19.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi i ka bërë publike 10 vendimet që janë marrë gjatë kësaj mbledhje, transmeton KultPlus.com

Masat shtesë që janë ndërmarrë janë si në vijim:

Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Klinës;

Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Vitisë;

Ndërpritet me efekt të menjëhershëm transporti ndër-urban në Republikën e Kosovës, si dhe transporti i organizuar ndërkombëtar;

Mbyllen kufijtë tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vet izolohen për 14 ditë;

Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova;

Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;

Pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive;

Mbyllen tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve;

Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë;

Urdhërohen kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia;

Rekomandim: U bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz dhe t’u përmbahen të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme