Qeveria vendos: Lokalet e gastronomisë të mos ua ndalojnë klientëve ujin e pijshëm

4 Korrik, 2022 - 3:01 pm

Qeveria ua ka bërë obligative lokaleve të gastronomisë që të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik .

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi para kabinetit qeveritar standardet normative për cilësinë e ujit për konsum për ta mbrojtur shëndetin e njerëzve.

Me këtë vendim, për bizneset e gastronomisë vendosen rregulla në shërbimin e ujit për klientët.

“Me qëllim që të vendosim standardet normaltive për cilësinë ujit të destinuar për konsum njerëzor…. propozoj aprovimin e vendimit që: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti”, tha Latifi.

Ministri tregoi edhe rregullat në rast se objekti i gastronomisë nuk furnizohet nga ujësjellësi.

“Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet se furnizohet nga uji i puseve, pronari i objektit obligohet të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK-ja dhe këtë certifikatë ta ekspozojë në lokal”, tha ai.

Vendimi u miratua./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme