Qindra mijëra biseda me chatbot-in Grok të ekspozuara në rezultatet e kërkimit në Google

22 Gusht, 2025 - 1:40 pm

Qindra mijëra biseda të përdoruesve me chatbot-in me inteligjencë artificiale (AI) Grok, i krijuar nga Elon Musk, janë ekspozuar në rezultatet e motorëve të kërkimit, duket se pa dijeninë e përdoruesve.

Kur përdoruesit e Grok shtypin një buton për të ndarë një transkript të bisedës së tyre, krijohen lidhje unike, por përveç ndarjes me personin e synuar, ky buton gjithashtu e bën bisedën të aksesueshme në internet përmes kërkimit.

Një kërkim në Google të enjten zbuloi se ishin indeksuar gati 300,000 biseda me Grok.

Kjo situatë ka bërë që një ekspert ta përshkruajë fenomenin si një “katastrofë e privatësisë në zhvillim.”

BBC i është drejtuar kompanisë X për një koment. Ndërkohë, Forbes, një publikim i njohur për teknologji, ishte i pari që raportoi për këtë shkelje të privatësisë, duke numëruar më shumë se 370,000 biseda të përdoruesve të shfaqura në Google.

Ndër bisedat që pa BBC, përfshiheshin raste ku chatbot-i i Musk jepte: krijimin e një fjalëkalimi të sigurt, plane ushqimore për humbje në peshë, përgjigje të detajuara për çështje mjekësore

Disa transkripte gjithashtu tregonin përpjekjet e përdoruesve për të testuar kufijtë e asaj që Grok mund të thotë apo të bëjë.

Në një rast të veçantë, chatbot-i jepte udhëzime të detajuara për prodhimin e një droge të klasës A në një laborator.

Nuk është hera e parë që bisedat me chatbot-ët e AI shfaqen më gjerësisht nga sa përdoruesit mund të kenë menduar kur përdorin funksione të ndarjes së bisedave.

Kohët e fundit, OpenAI u tërhoq nga një “eksperiment” që lejonte bisedat e ndara të ChatGPT të shfaqeshin në rezultatet e motorëve të kërkimit.

Një zëdhënës i OpenAI tha për BBC se po eksperimentonin me mënyra më të lehta për të ndarë biseda të dobishme, duke mbajtur përdoruesit në kontroll.

Ata theksuan se bisedat e përdoruesve janë private në mënyrë të parazgjedhur, dhe vetëm përdoruesit që japin pëlqimin i bëjnë ato publike.

Më herët gjatë këtij viti, Meta u përball me kritika pasi bisedat e përdoruesve me chatbot-in Meta AI u shfaqën në një “feed” publik të quajtur “discover” në aplikacionin e saj.

Edhe kur detajet e llogarisë së përdoruesve janë anonimë apo të fshehura në transkriptet e chatbot-it, pyetjet që ata shtrojnë mund të përmbajnë informacione personale ose të ndjeshme, duke përbërë një rrezik të madh për privatësinë.

Ekspertët thonë se kjo situatë thekson shqetësimet në rritje për privatësinë e përdoruesve.

“Chatbot-ët me AI janë një katastrofë e privatësisë që po zhvillohet,” tha Prof. Luc Rocher, profesor i asociuar në Oxford Internet Institute, për BBC-në.

Ai shtoi se “bisedat e rrjedhura” nga chatbot-ët kanë nxjerrë informacione të përdoruesve që përfshijnë emra të plotë, vendndodhje, detaje për shëndetin mendor, aktivitetet e bizneseve, apo marrëdhënie personale.

“Pasi të rrjedhin online, këto biseda mbeten atje përgjithmonë,” paralajmëroi ai.

Ndërkohë, Prof. Carissa Veliz, profesoreshë e filozofisë në Institutin për Etikën e AI në Universitetin e Oksfordit, tha se fakti që përdoruesit nuk informohen se bisedat e ndara do të shfaqen në rezultatet e kërkimit, është “shqetësues.”

“Teknologjia jonë as që na tregon çfarë po bën me të dhënat tona, dhe kjo është një problem,” tha ajo./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme