Qytetares iu hodh sprej për shkak se nuk i vendosi maskë qenit, policia thotë se në vetëmbrojtje e përdori atë

14 Mars, 2021 - 8:33 pm

Policia e Kosovës sot rreth orës 14 e 40 minuta është ballafaquar me një femër në “Rrugën B” në kryeqytet e cila me veti kishte një qen të racës “Pit Bull” por që nuk i kishte vendosur maskë derisa po e shëtiste atë.

Policët i kishin tërhequr vërejtjen femrës me inicialet E.H., për arsye se qeni i saj ishte në qytet, në rrugë të frekuentuar dhe pa maskë.

E.H., në këtë rast, sipas policisë, nuk kishte përfillur vërejtjen e zyrtarëve të rendit dhe kishte reaguar në formë agresive ndaj tyre.

Në polici deklarojnë se kur i është kërkuar dokumenti i identifikimit qytetares në fjalë dhe kur policët kishin filluar t’ia shqiptojnë gjobën, E.H., ishte nis së bashku me qenin në drejtim të policëve duke i kanosur dhe ofenduar ata.

Zyrtarët policor deklarojnë se në vetëmbrojtje kishin përdorur sprejn lotësjellës.

Në një video të publikuar në media shihet një pjesë e kësaj ngjarje, e që qytetarja thotë se qeni i saj është tetë muajsh dhe nuk ka shfaq asnjëherë shenja agresiviteti. Madje ajo dëgjohet  dhe shihet teksa kërcënon hapur policët pasi asaj i kishin hedhur sprej në fytyrë.

Në këtë rast kishte intervenuar edhe ekipi i urgjencës mjekësore të cilët i dhanë ndihmë qytetares për ta transferuar më pas në QKUK.

Sipas policisë, qytetares i është shqiptuar gjoba sipas ligjit 03/L-142, neni 12 paragrafi 2, dhe neni 16 paragrafi 3.

Në Ligjin Nr. 03/L-142, “Ligji për rendin dhe qetësinë publike” që flet për sulmin verbal thuhet se kushdo që në vend publik përdorë fjalë ofenduese, me qëllim që të provokoj prishjen e rendit dhe qetësisë publike, dënohet për kundërvajtje.

“Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro apo me dënimin me burg deri në dyzet (40) ditë”, thuhet në ligj.

Ndërsa në nenin Neni 12 të të njëjtit ligj që flet për “mbikëqyrja e shkujdesur e shtazëve” thuhet: Kushdo që në vend publik mbanë ose ka shtazë pa mbikëqyrje ose pa mjetet e duhura mbrojtëse, dënohet për kundërvajtje.

“Kryesi i kundërvajtjes të paraparë në paragrafin 1 të këtij neni dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50) deri pesëqind (500) Euro”, thuhet në nenin 12 të ligjit në fjalë./express/ KultPlus.com

Të ngjajshme