Qyteti i Sportit 2023, Veliaj: Tirana, ‘shtëpia’ e mundjes për të rinjtë në qershor

18 Shkurt, 2023 - 7:08 pm

Në qershor të këtij viti, Tirana do të mirëpresë Kampionatin Europian të Mundjes për të rinjtë e moshës 17 vjeç, teksa vitin e ardhshëm Shqipëria synon të jetë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Mundjes. Për këto evente të rëndësishme sportive, në Tiranë ka ardhur një delegacion i Federatës Botërore të Mundjes, të cilët u pritën nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Mundja në Shqipëri është ardhur në një nivel tjetër. Sot kemi mbi 12 medalje nga ky sport dhe më vjen mirë që Tirana, në qershor, do të jetë mikpritëse e Kampionatit Europian të Mundjes U-17. Për sa kohë që SHBA-të dhe vende të tjera i janë rikthyer sporteve klasike, siç është mundja, kanë filluar t’i përfshijnë të rinjtë në këto aktivitete që të vegjël, nuk ka asnjë arsye pse edhe ne, këtu në Ballkan, të mos marrim mësime nga më të mirët”, u shpreh Veliaj.

Ai e vuri theksin te rëndësia e një brezi të rritur me sport. “Një lojtar i mirë, një sportist i mirë, është mbi të gjitha një qytetar i mirë sepse respekton rregullat e lojës, di të punojë në ekip, mëson që ka edhe humbje, ka edhe fitore. Asgjë nuk zgjat përjetësisht, ndaj edhe e vlerësoj shumë që Tirana do të jetë ‘shtëpia’ e mundjes gjatë muajit qershor, për të gjithë të rinjtë e moshës 17 vjeç dhe mezi pres që, ndoshta edhe për vitin tjetër, në Kampionatin Botëror, ne të konsiderohemi si një vend mikpritës. Sigurisht, nuk do kursehemi edhe për investimet që do bëjmë jo vetëm për sportin komunitar, por edhe sportistët elitarë,” vlerësoi Veliaj.

Ai solli shembullin e mundësit Zelimkhan Abakarov, i cili u shpall Kampion i Botës me ngjyrat kuqezi, si një arsye për të investuar më shumë në sportin elitar.

“Fakti që Zelimkhan është kampion bote na bën besimplotë se skuadra jonë ka një shans të mirë për Paris 2024. Ne do punojmë me sportin në komunitet dhe palestrat e reja, që janë hapur, por do punojmë edhe me sportin elitar. Mbështetja juaj është shumë domethënëse. Faleminderit që keni vizituar Tiranën dhe na keni dhënë mundësinë që në qershor të jemi shtëpia e mundjes. Dëshira më e madhe është të kurorëzohemi në Paris me një fitore”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme