Rafting në Drinin e Zi, një mundësi më shumë për sezonin turistik në Dibër

8 Qershor, 2020 - 11:00 am

Turistë vendas dhe të huaj zgjodhën Drinin e Zi për të kaluar fundjavën, në nja aktivitet që pritet të shndërrohet në risinë e sezonit turistik në këtë zonë.

Pushuesit dhe turistët, që zgjedhin Dibrën për të kaluar pushimet, do të kenë një mundësi më shumë për turizëm, pasi lumi Drin i Zi bashkë me luginën e tij piktoreske ofron mundësi mjaft të mira për rafting, duke i hapur rrugë zhvillimit të turizmit të aventurës në një destinacion të ri turistik.

Rafting i bashkëngjitet ofertave të tjera turistike që ofrohen në Dibër si një potencial më shumë për turistët dhe të apasionuarit pas këtij sporti.

Bashkia Dibër nëpërmjet këtij aktiviteti të mbështetur nga projekti “Bashkitë për në Europë”, North Green, Sava Construction u uron sezon të mbarë turistik të gjitha bizneseve lokale në fushën e turizmit dhe fton turistët vendas e të huaj të mos humbasin mundësinë për të zbuluar potencialet e jashtëzakonshme turistike që Dibra ofron.

Drini i Zi buron nga Liqeni i Ohrit, nga një lartësi mbidetare prej 695 m, ndërsa del nga territori i Maqedonisë në afërsi të qytetit të Dibrës në lartësi mbidetare 476 m. Gjatësia e përgjithshme e lumit është 149 km, dhe brenda Maqedonisë lumi është i gjatë 56 km.

Lumi rrjedh në veri në drejtim të qytetit të Dibrës në një zonë malore, ku pastaj e shënon një pjesë të kufirit të Maqedonia e Veriut – Shqipëri, për të kaluar pastaj në territorin e Shqipërisë. Pranë qytetit të Kukësit Drini i Zi bashkohet me Drinin e Bardhë duke formuar lumin e bashkuar Drini që ka derdhje në Detin Adriatik. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme