Rajmonda Bulku: Teatri Kombëtar duhet shembur, kushte mizerabël

25 Korrik, 2019 - 1:30 pm

Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Rajmonda Bulku reagoi sot lidhur me protestën e një grupi artistësh të mbështetur nga opozita për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë

“Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës. Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar, me parametra të tjerë”, shprehet Bulku.

Ndërsa shpërndau postimin e aktores së njohur, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “minoranca e zhurmshme dhe e verbër teatralo -politike, nuk përfaqëson asfare opinionin e shumicës së komunitetit të artistëve të skenës, për projektin e Teatrit Kombëtar”.

“Ja çfarë mendon një aktore e njohur e skenës kombëtare, e cila jo vetëm s’ka asnjë lidhje me këtë shumicë qeverisëse, po ka qenë aktive si qytetare qysh në kohën e ndryshimeve historike dhe më pas edhe si deputete, në radhët e Partisë Demokratike”, tha Rama. /KultPlus.com

Të ngjajshme