23 Maj, 2025 - 4:19 pm
Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme në sektorin e turizmit, me 820 mijë vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit prill 2025.
Kjo e çon në 2,45 milionë numrin total të turistëve që kanë hyrë në vend gjatë katër muajve të parë të këtij viti.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kjo rritje është dëshmi e stabilitetit dhe konsolidimit të Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje në Europë.
“820 mijë vizitorë të huaj shijuan Shqipërinë gjatë muajit prill duke e çuar në 2,45 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse gjatë këtyre 4 muajve të vitit 2025, një rritje që tregon stabilitet, tregues se Shqipëria ka konsoliduar një pasaportë të udhëtimeve të qëndrueshme, ndërsa vazhdon të jetë surpriza më emocionuese e destinacioneve europiane”, u shpreh Rama.
Për të njëjtën periudhë të vitit 2023, vendi numëroi 1,68 milionë turistë, ndërsa në 2024, 2,3 milionë turistë.
Këto zhvillime pasqyrojnë përparimin që vendi ka bërë vitet e fundit në infrastrukturë, promovim ndërkombëtar dhe përmirësim të shërbimeve turistike.
Autoritetet presin që trendi pozitiv të vijojë edhe në sezonin veror, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë kombëtare./atsh/ KultPlus.com