Rama: Energjia verore nga Gjiri i Gramës

18 Gusht, 2025 - 9:28 am

Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit, është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Gjiri i Gramës, i cili ofron një peizazh natyror shumë tërheqës për çdo vizitor.

“Me energjinë verore nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama, ndërsa ndan pamje nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu, ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty njihet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme