Rama: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, burim i gjallë frymëzimi për të gjithë

17 Janar, 2023 - 10:00 am

Shqiptarët përkujtojnë këtë janar, 555 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Në kujtesë të kësaj dite, nxënës të shkollave të mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe pjesëmarrës të olimpiadave në lëndën e historisë u mblodhën sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, në një bashkëbisedim mbi figurën simbol të qëndresës së kombit shqiptar, Skënderbeun.

Kryeministri Edi Rama iu bashkua këtij bashkëbisedimi, të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me pjesëmarrjen edhe të studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Aurel Plasari, i cili dhuroi për nxënësit veprën e tij “Skënderbeu një histori politike”.

“Duke u munduar që të bënim diçka të veçantë në vigjiljen e një date shumë të rëndësishme për historinë tonë, por edhe të një përvjetori të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, asgjë nuk mund të gjendej, sesa të bëhesha unë kumbari i një bashkëbisedimi mes nxënësve më të mirë të historisë së kryeqytetit dhe Aurel Plasarit”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se, “historia është e destinuar të rishkruhet dhe të rilexohet, në kohë të ndryshme, në kontekste të ndryshme, nga këndvështrime që sigurisht diktohen  edhe nga faktet e reja që dalin ose nga mënyra të reja të të lexuarit të të njëjtave fakteve dhe me siguri, një ditë do të kemi një rilexim tjetër të historisë së Skënderbeut. Por për sa kohë, ne kemi në dispozicion sot çfarë është shkruar, mendoj se libri që keni në dorë është një ndihmesë e madhe që na vë në dispozicion, jo vetëm një këndvështrim të ri, por edhe një përmbledhje që nuk e gjejmë, tek asnjë nga autorët e mëparshëm, kjo pasi edhe burimet janë pasuruar”.

“Më 17 janar është dita e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që është një burim i gjallë frymëzimi, reflektimi, diskutimi të vazhdueshëm për të gjithë”, theksoi Rama, ndërsa vlerësoi librin e Plasarit  si një vepër me rëndësi për historinë tonë.

“Por për sa kohë kemi në dispozicion sot për çfarë është shkruar, libri që keni në dorë është një ndihmesë e çmuar me një këndvështrim të ri dhe një përmbledhje që nuk e gjejmë tek asnjë nga autorët e mëparshëm, pasi edhe burimet janë shtuar”, u shpreh Rama.

Mbështetur në fakte dhe në ato çka ka shkruar Fan Noli, Plasari vlerësoi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, si një histori politike.

“ I njohur më së shumti si “Skënderbe”, Gjergj Kastrioti është imponuar tanimë në historinë e Shqipërisë si figurë “heroi kombëtar”, madje si “simbol” i identitetit të shqiptarëve arbër dhe i qëndresës dhe i luftërave të tyre, në nivelin e informacionit enciklopedik botëror. Si i tillë është vlerësuar ai veçanërisht prej një filoni të historiografisë evropiane që e zë fillin te tradita humanisto-iluministe”, theksoi Plasari. / KultPlus.com

Të ngjajshme