Rama: Krijojmë Muzeun e Arbëreshëve në Kalanë e Skënderbeut

22 Nëntor, 2023 - 10:38 pm

Tirana mikpriti sot në Ditën Arbëreshe, shqiptarë nga e gjithë bota, ndër të cilët figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historianë, në një seri aktivitetesh të zhvilluara në vigjilje të Samitit III të Diasporës.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Muzeu i Arbëreshëve, një nismë që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe, do të ngrihet në Kalanë e Krujës.

Rama u shpreh se përveç muzeut, janë po ashtu edhe një sërë idesh të tjera që presin t’i japin jetë kësaj marrëdhënie në nivele të ndryshme njerëzore.

“Ne nuk e kemi një muze të tillë, ndërkohë që komuniteti arbëresh ka ruajtur me shumë fanatizëm relike të jashtëzakonshme dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri, Muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur edhe vendin. Ku tjetër përveçse në Kalanë e Skënderbeut”, tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se është bërë edhe një ditë e verërave, duke çuar disa nga prodhuesit e verërave tona në Arbëri.

Ai informoi se do të ndërtohet edhe një kalendar për t’i lidhur bashkë prodhuesit, sepse në fund të fundit janë të gjitha verëra shqiptare./atsh/KulPlus.com

Të ngjajshme