Rama: Muzeu Historik i Shkodrës ‘Oso Kuka’, destinacion për të mos u humbur

18 Janar, 2024 - 10:24 pm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Muzeu Historik i Shkodrës ”Oso Kuka”.

Rama theksoi se, ky muze është një destinacion për të mos u humbur, me një numër gjithnjë në rritje të interesit të turistëve.

Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë së qytetit. Ai përbëhet nga Muzeu qëndror (i vendosur në shtëpinë e Oso Kukës) dhe ai i Kalasë “Rozafa”.

Funksioni i tij është promovimi i historisë dhe i traditave kulturore lokale e kombë­tare tek qytetarët e komunitetit brenda e jashtë vendit. Megjithatë gjatë gjithë jetës së tij ka kryer edhe veprimtari kërkimore në nivel lokal, duke aktivizuar bashkëpunëtorë të shumtë, specialistë e dashamirës të kulturës. Brenda qytetit ai bashkëpu­non me sukses me Universitetin L. Gurakuqi, bibliotekën “Marin Bar­leti”, Galerinë e Arteve dhe Teatrin “Migjeni”,  dhe me institucione të tjera simotra në Shqipëri e në rajon.

Muzeu organizon periodikisht aktivitete komemorative, konferenca e seminare me tematika të ndryshme. Aktualisht boton revistën “Kumtari” dhe ka ndërmarrë botimin e 10 vëllimeve me materialet e seminarit “Shkodra në shekuj”, ku përfshihen studime në fushat e historisë, arkeologjisë, etnologjisë, folklorit, gjuhësisë, letërsisë e arteve.

Muzeu përbëhet nga seksionet e mëposhtme: në atë të etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekën, kjo e fundit shërben si fond i studimeve shkencore qe kryen stafi punonjës në veprimtarinë e tij./KultPlus.com

Të ngjajshme