22 Gusht, 2025 - 9:30 am
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që po vijon për rikonstruksionin e Muzeut Kombëtar Arkeologjik në Durrës.
Ai bëri të ditur se thesaret e historisë, me mbi 2400 objekte arkeologjike, do t’i rikthehen qytetit dhe gjithë Shqipërisë në pavione moderne dhe kushte bashkëkohore.
Sipas Ramës, “brenda vjeshtës, në pavione moderne e kushte bashkëkohore, muzeu do të kthehet në një atraksion të rëndësishëm të turizmit kulturor dhe një hapësirë tërheqëse për vizitorët.
Rihapja e muzeut do të sjellë hapësira të shtuara ekspozuese më funksionale, brenda dhe jashtë, një linjë muzeore të rikonceptuar, hapësira të dedikuara për aktivitetet edukative të fëmijëve dhe për zhvillime seminaresh.
Punimet restauruese në këtë objekt po kryhen në kuadër të programit EU4Culture, që zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në vjeshtë, ai do të hapë dyert për publikun vendas dhe të huaj, me një pamje të re dhe përvoja muzeale bashkëkohore
Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit, i hapur për herë të parë në vitin 1951 dhe më pas i zgjeruar në vitet ’80, është një nga institucionet më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare. Ai ruan objekte që datojnë nga periudha ilire, helenistike, romake dhe mesjetare, duke e bërë një nga qendrat kryesore të studimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në vend./atsh/KultPlus.com