Rama ndan pamje nga Liqeni i Komanit dhe Lumi i Shalës: “Tajlanda e Europës” që magjeps turistët

2 Shtator, 2025 - 5:18 pm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë mëngjesin e së martës pamje mahnitëse nga Liqeni i Komanit dhe Lumi i Shalës, dy prej destinacioneve më të njohura të turizmit malor në Shqipëri.

Pamjet pasqyrojnë madhështinë e maleve që rrethojnë liqenin, i cili shtrihet mes tyre dhe u ofron vizitorëve eksperiencën unike të lundrimit gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, Lumi i Shalës – i quajtur nga mediet ndërkombëtare “Tajlanda e Europës” – spikat me ujërat e tij kristaltë dhe natyrën e paprekur, transmeton KultPlus.

“Pamje nga Liqeni i Komanit e Lumi i Shalës, mikpritës të mijëra vizitorëve që shijojnë përvojat e turizmit malor”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Këto dy atraksione në veri të vendit ofrojnë një gamë të gjerë përvojash: lundrim me varkë apo kanoe, ngjitje në majat përreth me panoramë spektakolare, zhytje në ujërat e Shalës, si dhe ushqime tradicionale në bujtinat vendase.

Liqeni i Komanit, i krijuar si rezervuar në vitin 1978, shtrihet përgjatë 34 kilometrave nga fshati Koman deri në Fierzë dhe njihet për biodiversitetin e tij, me mbi 13 specie peshqish dhe amfibësh. Udhëtimi me traget ose kanoe përgjatë liqenit konsiderohet një nga eksperiencat më të veçanta të udhëtimit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Lumi i Shalës buron nga Alpet dhe rrjedh për 37 kilometra, duke tërhequr çdo vit një numër gjithnjë e më të madh turistësh vendas e të huaj, falë ujit të tij të kaltër, troftës së famshme dhe mikpritjes tradicionale të zonës./KultPlus.com

Të ngjajshme