Rama ndan pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil

9 Korrik, 2025 - 3:16 pm

Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë, Ksamil, të mbushura me pushues vendas e të huaj, të cilët shijojnë ditët me diell.

Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.

Gjithashtu bashkitë kanë vendosur edhe tabela identifikuese, në mënyrë që turistët të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Kjo është një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi.

Në qarkun e Vlorës këtë vit janë 973 stacione plazhi publike, ndërsa sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është vendosur që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë plazh publik.

Këto ditë në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e plazheve dhe hapësirat publike,  pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme