23 Qershor, 2025 - 3:52 pm
Dyfishimi i hapësirave publike në plazhet e Durrësit ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, përfshi edhe Durrësin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi publik në Durrës, i cili po frekuentohet nga qytetarë të shumtë në këto ditë vere.
Aktualisht në Durrës ka 266 parcela publike plazhesh, të fragmentarizuara nga zona e plazhit në Durrës deri te Përroi i Agait, të cilat pritet të shtohen më shumë pas 30 qershorit, kur përfundon edhe lidhja e kontratave me subjektet private. Parcelat për të cilat nuk do të ketë aplikime deri në këtë datë do të kalojnë automatikisht në hapësira publike.
Nisur nga fakti se Durrësi ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i aksesojnë në segmente të ndryshme.
Po ashtu Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren./atsh/KultPlus.com