21 Gusht, 2025 - 4:19 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot rrëfimet e pushuesve që kanë zgjedhur plazhet e jugut të Shqipërisë në këtë gusht.
“Bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, ku plazhet janë fantastike, mikpritja gjithashtu, por më emocionuese akoma janë rrëfimet e vetë pushuesve shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës për përvojat në rivierën tonë”, shkruan Rama.
“Mirë shumë. Jemi duke u kënaqur. Uji na ka qëlluar shumë i bukur këtu. Po e shijojmë shumë, është shumë i shëndetshëm dhe po shohim që shumë njerëz po vijnë gjithë kohën. Jemi të kënaqur, edhe moti është super”, u shpreh një pushuese nga Kosova.
Një tjetër pushues tha se vjen për të katërtin vit radhazi. “Është viti i katërt radhazi që po vij në Dhërmi. Për herë të parë kur kam ardhur këtu, jam dashuruar me Dhërmiun edhe më pëlqen shumë, sidomos ushqimi, deti, plazhi, e të gjitha”, tha ai.
Një turist i huaj u shpreh se po ia kalon shumë mirë. “Deti është i mahnitshëm, rëra është e bukur, njerëzit janë të bukur, absolutisht na pëlqen”, tha ai.
Një shqiptar që jeton prej 20 vitesh në Angli u shpreh se, po kalon shumë bukur. “Siç e shikoni, koha është shumë e bukur, me diell, temperatura është shumë e mirë, ushqimi është shumë i mirë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Unë kam lindur këtu në Shqipëri, por jetoj në Angli, kam njëzet vjet që jetoj dhe vij për pushime këtu i kaloj në Shqipëri”, tha ai.
Një turist nga Australia, u shpreh se, “këtu më pëlqen absolutisht. Plazhi është i mahnitshëm, tepër i bukur, ushqimi është i mirë, pijet të mira. Do t’ia rekomandoja kujtdo”, tha ai.
Ndërsa një turiste polake u shpreh se atmosfera është fantastike. “Jemi me familjen. Kohë e bukur, plazh i bukur”, tha ajo.
“Duket shumë bukur. Ka banorë të dashur, dyqane të bukura dhe restorante të mira. E dua Shqipërinë të gjithin, si vend është i bukur. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Gjithçka është e bukur”, tha një tjetër turist i huaj.
Një turist italian, i ardhur nga Milano, tha se, “vendi na ka pëlqyer shumë, deti është i mrekullueshëm, është një vend shumë natyral, nuk e kishim imagjinuar. Kërkuam në internet për të ardhur këtu. Kemi parë shumë, por Himara është vendi që preferojmë”.
“Ky është një plazh fenomenal, një plazh i mrekullueshëm, një ushqim i mrekullueshëm, një mjedis i mrekullueshëm. Po kalojmë shumë mirë. Kam një mendim shumë të mirë, sepse erdha të zbuloj tiparet e vendit tuaj të bukur, dhe ato janë shumë, shumë të bukura”, tha një tjetër turiste e huaj.
Ndërsa një çift turistësh nga Polonia vlerësuan mjaft bukuritë e Shqipërisë.
“Shumë bukur, keni male të bukura, diell të bukur, vend simpatik. Kam udhëtuar shumë, por e sugjeroj këtë vend për ta parë”, thanë ata.
Një turist nga SHBA vlerësoi Rivierën shqiptare.
“Bukur të shikosh Rivierën shqiptare, vend fantastik për të ardhur me pushime, vend i bukur. Vijmë nga Shtetet e Bashkuara, kemi udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, duke parë të gjitha bukuritë, tingujt e ndryshëm dhe po kënaqemi me të gjithë njerëzit”, tha ai./ atsh/ KultPlus.com