Rama ndan shkrimin e “Le Figaro” për Shqipërinë: Male spektakolare, lugina të egra e lumenj të pazbutur

25 Prill, 2024 - 4:25 pm

“Male spektakolare, lugina të egra, lumenj të pazbutur…Shqipëria është një arratisje e egër”, shkruan “Le Figaro Magazine”, duke theksuar se vendi po hapet dalëngadalë ndaj udhëtimeve të natyrës dhe aventurës.

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje publikimin e prestigjiozes franceze për turizmin në Shqipëri, duke shkruar se “Le Figaro” ndalet sërish në Shqipëri, kësaj here për bukuritë e paprekura të vendit.

Në një shkrim të pak ditëve më parë, “Le Figaro” promovoi plazhet e mrekullueshme të vendit.

Revista e nis shkrimin me një përshkrim piktoresk, duke theksuar se “kur dy shqiptarë kalojnë njëri-tjetrin në një shteg malor, përshëndesin njëri-tjetrin në mënyrë gazmore “O Shqipe! », “O Shqiptarë” që mund të përkthehet edhe si “O shqiponjë” pasi është e njëjta rrënjë dhe shqiptarët e quajnë veten bij e bija të shqiponjës.

“Në fund të fundit, pasi kanë duruar gati gjysmë shekulli të një diktature sa të egër aq edhe paranojake, ata mund të fryjnë gjoksin. Nga viti 1945 deri në vitin 1985, vetë stalinisti Enver Hoxha e bëri Shqipërinë një burg të madh të izoluar nga bota e jashtme dhe ia dorëzoi popullin e saj turpit të Sigurimit, një polici sekrete aq mirë e infiltruar në shoqëri sa që një grup prej tre personash kishte gjasa të fshiheshin dy spiunë!”, shkruan “Le Figaro”.

Bumi turistik në vendin tonë ka bërë që shumë botime prestigjioze të kthejnë sytë nga Shqipëria duke zbuluar thesaret e fshehura të natyrës së paprekur, por edhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike.

Vitin e kaluar vendi arriti shifrën rekord të turistëve të huaj prej 10.1 milionë turistësh të huaj, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti trendi vijon me 1.5 milionë turistë të huaj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme