Rama: Nuk na duhet turizmi masiv në Shqipëri, duhen turistë që konsumojnë shumë

29 Prill, 2024 - 2:38 pm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipërisë nuk i duhet thjeshtë rritja e numrit të turistëve të huaj, por duhet që të kthehet në një destinacion për të gjitha kategoritë e turistëve. 
Rama të hënën Konferenca Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri” tha se Shqipërisë nuk i duhet një turizëm masiv. Ai nënvizoi se 100 mijë turistë që konsumojnë shumë janë më mirë se 1 milion turistë që konsumojnë pak.

“Ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjesht të rrisim numrin e vizitorëve të huaj, ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë, ku nuk janë numrat në pamje të parë që kanë rëndësi, por është cilësia e numrave. Çfarë do të thotë cilësia e numrave, do të thotë që në varësi të konsumit të një turisti përcaktohet edhe sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes, që të kesh 1 milion turistë që konusmojnë pak çdo ditë, apo sa interes ke që të kesh 100 mijë turistë më shumë që konsumojnë shumë çdo ditë. Ata 100 mijë që konsumojnë shumë mund të sjellin të ardhura më shumë se ata 1 milion që konsumojnë pak. Ama nuk e vendosin vendin nën presion e jashtëzakonshëm që lidhet me pastrimin, me trajtimin e mbetjeve. Pasi tjetër është të pastrosh dhe të trajtosh mbetje për 100 mijë dhe tjetër është të trajtosh dhe të pastrosh mbetje për 1 milion turistë”, tha Rama./EuroNews Albania

Të ngjajshme