Rama përgëzon iniciativën ‘Vrapo Babadimër, ofron mbështetje të plotë nga Komuna

12 Dhjetor, 2021 - 11:16 pm

Në mesditën e 12 dhjetorit është zhvilluar eventi i përvjetshëm “Vrapo Babadimër”, me ç ‘rast përmes bamirësisë dhe gjithëpërfshirjes synohet që të ndihmohen familjet në nevojë në prag të festave të fundvitit, shkruan KultPlus.

Në këtë event ishte i pranishëm edhe kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, i cili u deklarua shumë i lumtur që takoi qytetarët në këtë organizim.

“I emocionuar e i mbushur plot energji prej gjithë fëmijëve e qytetarëve që kam takuar sot në shesh. E përgëzoj iniciativën organizative të maratonës “Vrapo Babadimër”, që na e solli edicionin e gjashtë të këtij aktiviteti që po bëhet tradicional me moton: “Bëhu babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje”. E këtë vit ky aktivitet pritet ti gëzojë rreth 700 familje. Komuna e Prishtinës do të jetë gjithmonë përkrahëse e këtyre iniciativave që kanë për qëllim ngritjen e donacioneve për të ndihmuar familjet me kushte të rënda ekonomike në Kosovë jo vetëm gjatë festave të fundvitit, por gjatë krejt vitit. Ju faleminderit për pozitivitetin e shpirtin bujar të gjithëve”, ka shkruar ai në “Instagram”.

Ndërsa kujtojmë se organizatori i maratonës “Vrapo Babadimer” të Organizatës Jo-Qeveritare “Projekti 5 cent”, Jusuf Islami, ka thënë në një prononcim për KultPlus se gjithëpërfshirja dhe ndihma për njerëzit në nevojë është pikërisht synimi i tyre.

“Evente të tilla dhe maratona të ngjashme ka nëpër vende të ndryshme të botës. Qëllimi kryesor i tyre është bamirësia për njerëzit në nevojë. Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq do të ndihmojmë më shumë se 700 familje, përzgjedhjen të cilëve e kanë bërë ata”, pati thënë Islami.

Ata kanë dhuruar edhe për shoqatën “Down Syndrome Kosova”, pasi që synim kryesor e kanë gjithëpërfshirjen.

Programi i kësaj maratone filloi në ora 11:00 me ç ‘rast pati edhe një program muzikor derisa me fillim nga ora 13:00 u zhvillua starti dhe finishi në sheshin “Nëna Terezë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme