Rama: Prishtina është e mbushur plot, mbi 40 mijë mysafirë për Sunny Hill Festival

1 Gusht, 2025 - 6:15 pm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë një mesazh të veçantë nga lokacioni i Sunny Hill Festival, ku këtë fundjavë pritet të mblidhen mbi 40 mijë mysafirë nga vendi dhe bota.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, Rama tha se Prishtina është ‘full’, me të gjitha kapacitetet e hoteleve të mbushura, duke dëshmuar ndikimin e jashtëzakonshëm që festivali ka në jetën kulturore dhe ekonomike të kryeqytetit.

“Sunny Hill i dha zë Prishtinës. Prishtina i dha shpirt festivalit,” ka shkruar Rama në postimin e tij, duke nënvizuar lidhjen e veçantë mes qytetit dhe këtij festivali ndërkombëtar.

Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe vizitorëve që të mos humbin këtë përvojë unike:

“Prishtina e Sunny Hill-it e Sunny Hill-i i Prishtinës. Ju ftoj të gjithëve që të vini e të kënaquni me artistë të mrekullueshëm si Dua jonë e mrekullueshme, me Fatboy Slim e shumë të tjerë që në këto tri ditët në vijim do të krijojnë një atmosferë si asnjëherë më parë.”

Me emra të njohur ndërkombëtarë dhe një program të pasur artistik, Sunny Hill Festival ka rikthyer në kryeqytet emocionin e një ngjarjeje që tejkalon kufijtë e muzikës duke e kthyer Prishtinën në një qendër kulturore evropiane./KultPlus.com

Të ngjajshme