23 Korrik, 2025 - 9:01 am
Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë bazilikë, një ndër më të vizituarat në Shqipëri.
“Një ditë e zakonshme korriku në Bazilikën e Linit, mes natyrës së qetë, trashëgimisë sonë të çmuar kulturore dhe pamjeve piktoreske që ofron ky fshat buzë liqenit, si një nga perlat e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar”, shkruan Rama.
Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit.
Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah.
Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri./atsh/