16 Qershor, 2025 - 9:00 am
Maja e Vajushës në Lëpushë të Malësisë së Madhe, është një nga perlat natyrore të Alpeve Shqiptare, me një lartësi prej rreth 2,100 metrash mbi nivelin e detit.
Vitet e fundit, Maja e Vajushës është kthyer në një destinacion për turistë të huaj ashtu edhe vendas që janë të apasionuar pas natyrës dhe aktiviteteve sportive malore.
Shtegu drejt majës është i shënuar dhe ofron mundësi për pushime të shkurtra, me burime uji dhe pamje mahnitëse gjatë gjithë rrugës.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Maja e Vajushës, një destinacion i shkëlqyer për ata që kërkojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë, të shijojnë ajrin e pastër dhe të përjetojnë një eksperiencë të paharrueshme në Alpet Shqiptare.
Për të arritur në majë, vizitorët duhet të ecin për rreth 2 orë e gjysmë përmes maleve, duke kaluar përmes pyjeve të dendura dhe hapësirave të gjelbra, duke shijuar ajrin e pastër dhe burimet e shumta të ujit të ftohtë.
Për ata që janë të interesuar në aktivitete më sfiduese, Maja e Vajushës është gjithashtu pjesë e garës “Bear Trail”, një ngjarje e njohur e trail running në Shqipëri.
Kjo garë 10 km përfshin një ngritje prej 640 metrash dhe është pjesë e “N’Altitude Festival”, një ngjarje që promovon turizmin aktiv dhe natyrën e paprekur të zonës./atsh/KultPlus.com