28 Korrik, 2025 - 11:22 am
Sot, më 28 korrik, Prishtina do të bëhet skena e një mbrëmje magjike operistike. Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, sopranoja e njohur Marigona Qerkezi do të ngjitet në skenën e hapur pranë Bibliotekës Kombëtare, duke sjellë një performance të jashtëzakonshme, e cila do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike dhe operës nga gjithë rajoni.
Mbrëmja e titulluar “Opera Night”, e cila do të nisë në orën 20:30, do të ofrojë një repertor të pasur muzikor, duke sjellë arie nga kompozitorët më të mëdhenj të operës, si Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini, dhe Leonard Bernstein. Ky repertor do të udhëtojë përmes epokave dhe ndjenjave, duke përfshirë dramatizmin dhe pasionin e operës klasike, por edhe energjinë dhe freskinë e kompozitorëve modernë,transmeton KultPlus
Marigona Qerkezi, një nga zërat më të njohur të Kosovës, ka një karrierë ndërkombëtare të suksesshme dhe ka performuar në disa nga skenat më prestigjioze të botës. Pasionin dhe përvojën e saj, ajo do ta sjellë sot për publikun e Prishtinës, duke interpretuar disa prej arieve më të njohura të operës, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës.
Ky koncert është një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e muzikës klasike dhe operës, pasi hyrja është falas, një dhuratë për ata që duan të përjetojnë një natë të paharrueshme në një nga ambientet më të veçanta të qytetit të Prishtinës./KultPlus.com