Raporti i institutit suedez e rendit Kosovës në vendin e parë në rajon për demokraci

2 Prill, 2024 - 1:57 pm

Kosova është renditur në vendin e 62-të në botë dhe e para në Ballkanin Perëndimor për demokraci në një raport të sivjetshëm të institutit suedez V-Dem.

Rezultatet e këtyre matjeve u transmetuan nga Qeveria si njohje e progresit demokratik të vendit.

V-Dem ka matur të gjithë komponentët e demokracisë në 202 vende përgjatë vitit 2023.

Në tabelën e renditjes së shteteve, raporti i vë Kosovës shenjën që tregon se “rezultati i vendit është përmirësuar gjatë 10 viteve të fundit në mënyrë thelbësore dhe në një nivel statistikisht domethënës” në komponentët e demokracisë liberale dhe demokracisë zgjedhore. Kosova vlerësohet si vend që është “në një episod demokratizimi”, raporton Gazeta Express.

Raporti tregon për një rënie të demokracisë në Europën Lindore, ndërsa përmendet se si Hungaria dhe Serbia po e nxisin prirjen për konsolidimin e autokrasië, duke shtuar këtu edhe Kroacinë dhe Rumaninë.

Kosova, ndërkaq përshkruhet si vend që demonstron se “demokracia ishte në rënie midis viteve 2010 dhe 2018, por që atëherë ka mbetur relativisht e qëndrueshme”.

“Kjo reflekton pjesërisht përmirësimet e fundit në vendet më pak të populluara, si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut”, thuhet në raport.

“Dallimi i përgjithshëm midis masave të peshuara sipas popullsisë dhe atyre të bazuara në vend është i zbehtë”, thuhet më tej në raportin e institutit suedez.

Raporti thekson se si në Europën Lindore “vendet e mëdha dhe të populluara janë mesatarisht shumë më autokratike se ato më të voglat” – e kundërta prej Amerikës Latine.

Në Kosovë, raporti thotë se procesi i demokracisë zgjedhore “filloi me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pas një votimi mosbesimi në parlamentin e mëparshëm”.

Kush qëndron prapa V-Dem?

Instituti suedez përfshin mbi 4200 studiues që masin mbi 600 atribute të ndryshme të demokracisë në 202 vende të botës.

Drejtor i Qendrës Rajonale të V-Dem për Ballkanin është Shpëtim Gashi. Kjo qendër gjurmon dhe mat progresin demokratik në dhjetë vende të rajonit.

Në web-faqen e institutit thuhet se Gashi fokusohet “në çështjet e qeverisjes dhe zhvillimit politik në vendet në tranzicion”. Thuhet se ka 15 vjet përvojë në Ballkan duke punuar në çështjet e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjeve ndërshtetërore.

Për të thuhet se “ka lehtësuar diskutimet jozyrtare ndërmjet zyrtarëve politikë dhe qeveritarë në rajon”

Ai është magjistër në çështjet ndërkombëtare në Universitetin e Columbias në New York dhe bachelor në shkencat politike në Universiteti i Massachusetts në Boston. / KultPlus.com

Të ngjajshme