Raporti i të vetëkënaqurve

23 Nëntor, 2019 - 5:18 pm

Shkruan: Arbnora Dushi- drejtuese e Degës së Folklorit

(Reagim ndaj Raportit të Integra-s me titull “Instituti i vetizoluar”)


Jemi dëshmitarë, këto ditë, të prezantimit publik të raportit të organizatës joqeveritare “Integra”, e cila nën financimin e KFOS – Fondi i Kosovës për Shoqëri të hapur, po e implementon projektin  “Rishikim i shoqërisë civile dhe dialog publik për insitucionet e heshtura të Kosovës të financuara nga fondet publike”. Ky raport i publikuar në media, në fokus të llupës së tij kësaj here e kishte Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në parim, besoj të gjithë jemi dakord, që të monitorohet puna e institucioneve publike që financohen nga buxheti i shtetit, sepse është e drejtë e secilit qytetar të Republikës të dijë për financat e shtetit të vet. Madje shumë mirë që ka njerëz që e bëjnë këtë punë dhe na hapin sytë të gjithëve, sepse jo gjithkush është i motivuar të merret me një hulumtim të këtillë. Por, megjithatë, hulumtimi është dashur të jetë profesional e jo shkel e shko. Jo duke i injoruar burimet qëllimisht e duke i lënë mënjanë ato fakte e dëshmi që e rrënojnë pretendimin prejudikues të Integra-s – diskreditimin e Instituti Albanologjik. Ky pretendim shihet që në titullin bombastik dhe mediatiko-atraktiv “Instituti i vetizoluar”, i cili titull nuk do të justifikohej ndryshe pos duke i lënë jashtë raportit të dhënat që e dëshmojnë të kundërtën. “Institut i vetiozular” e nënkupton që Instituti Albanologjik po e izoluaka veten?! Një tendencë e qëllimshme për ta vënë Institutin  në pozitë inferiore të “fajtorit” para mediave dhe publikut,  se “këta vetizolohen duke mos punuar gjë, por vetëm i hanë kot paratë e shtetit!”  Epo si do të provokoheshin ndryshe mediat për të fituar shikueshmëri e portalet pëlqime e si do të justifikohej buxheti për projektin “hulumtues” mbi “institucionet e heshtura” nëse Instituti nuk do të paraqitej i tillë, “i vetizoluar”? Si do ta kënaqnin veten “hulumtuesit” dhe fondacionet po t’iu dilte ndryshe raportimi për Institutin? Intenca e tyre duket prej aeroplanit!                              

Pa dashur të polemizoj për gjetjet e shkeljeve që janë thënë në Raport, për të cilat besoj që keni pasë argumente të mjaftueshme për t’i publikuar (ju përgëzoj për këtë, sepse i kemi problematizuar edhe vetë në Këshillin shkencor), unë ndihem e obliguar të reagoj për gjetjet që nuk janë thënë, apo edhe janë shtrembëruar, injorimi dhe keq-informimi i të cilave nga ana e juaj, më bën të mendoj mbi tendenciozitetin e këtij raporti. Ndihem e obliguar ta paraqes pjesën e mirë të punës së Institutit, e cila qëllimisht nuk është vënë në fokusin tuaj.

Po shkruaj në cilësinë e drejtueses së tanishme të Degës së Folklorit, por edhe të punonjëses mbi njëzet vjeçare në këtë degë, çka më bën mjaftueshëm kompetente për të reaguar ndaj të dhënave të pathëna për Degën e Folklorit në këtë raport. Për të justifikuar temën e predispozuar të Raportit tuaj mbi “vetizolimin’ e Institutit Albanologjik”, ju nuk e keni paraqitur aktivitetin dhe veprimtarinë e punonjësve të Degës së Folklorit në planin ndërkombëtar që nuk është e paktë, madje mjaft e frytshme krahasur me institucionet e tjera akademike, në nivel të shtetit. Ju keni zgjedhur ta injoroni, sepse ky fakt do t’ju bënte të padenjë ndaj projektit që keni marrë! Gjithashtu, e quani projektin e ribotimit të veprës së profesor Anton Çettës, të papërfunduar vetëm pse nuk ka dalë nga shtypi (për shkak të pamundësive finansiare të deritanishme), gjë që nuk është në dorën e punonjësve të kësaj dege. Madje merrni edhe guximin t’ia kontestoni rëndësinë shkencore këtij projekti.                     

Për dijeninë tuaj, (të cilën e keni injoruar edhepse drejtuesja e Degës së Folklorit (në kohën e përgaditjes së raportit), Leontina Gega – Musa,  ju ka informuar në detaje me veprimtarinë e Degës së Folklorit, madje në ditën kur në Institut po mbante ligjëratë publike për traditat dhe baladat japoneze, studiuesja Keiko Wells nga Universiteti i Kyotos në Japoni) dhe për informimin e saktë të mediave dhe të publikut, detyrohem të shtoj në këtë formë aktivitetin ndërkombëtar si edhe botimet e punonjësve shkencorë të Degës së Folklorit në publikimet ndërkombëtare, të cilat mungojnë (me qëllim) në raportin e Integras për Institutin Albanologjik.          

Dega e Folklorit aktualisht ka tetë punonjës, tre e mbajnë titullin e këshilltarit shkencor, dy të bashkëpunëtorit shkencor, dhe tre të hulumtuesit të pavarur (që dmth janë kandidatë për doktorë shkence). Në dy  tituj e parë shkencorë të sipërpërmendur, që të pesë punonjësit kanë të kryera të gjitha nivelet e studimit deri në doktoraturë, madje njëra ka edhe post-doktoraturë të kryer në Departamentin e Folkloristikës në Universitetin e Turku-t në Finlandë. Tre nga punonjësit kanë doktoruar në Universitetin e Prishtinës e dy në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Nga tre kanditatët për doktoraturë, dy etnomuzikologët po i kryejnë momentalisht studimet jashtë shtetit. Njëri në Universitetin Gazi në Ankara të Turqisë e tjetri në Institutin e Folklorit dhe të Etnologjisë në Sofje të Bullgarisë. Të vetizoluar a? Prej tetë punonjësve të kësaj dege katër janë femra dhe katër janë meshkuj, që besoj janë në harmoni me parametrat tuaj gjinorë!                           

                                                                                                           

Këta studiues, rezultatet e hulumtimeve të tyre albanologjike i publikojnë në revistat shqiptare, por jo vetëm. Revista më relevante për albanologjinë se ato që publikohen në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, nuk e di që ka diku tjetër, por pavarësisht këtij fakti folkloristët dhe etnomuzikologët e Institutit Albanologjik, përpos pjesëmarrjes individuale në konferenca ndërkombëtare ku botojnë punime në aktet e këtyre konferencave  (nga 1-3 në vit secili), marrin pjesë rregullisht edhe si pjesëmarrje grupore në konferencat ndërkombëtare të përvitshme ose të çdo-dyvitshme që i organizon Organizata e Antropologëve të Evropës Juglindore  (InASEA), Instituti i Folklorit “Marko Cepenkov “ në Maqedoni, si edhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladës (Kommission für Volksdichtung) në vende të ndryshme të Evropës. Madje në këtë Komision prej vitit 2018, me mandat katërvjecar, postin e nënkryetares e mban një studiuese nga Dega e Folklorit të këtij Instituti. Kosova përfaqësohet në këtë Komision ndërkombëtar me traditë 50 vjeçare nëpërmjet studiueses nga Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik. Të vetizoluar a?  Këtu duhet vënë në spikamë, organizimin e konferencës ndërkombëtare të baladës (të 45-tën me radhë) në Prishtinë, në vitin 2015, kur kjo degë dhe ky institut qenë nikoqirë të folkloristëve e etnomuzikologëve nga tridhjetë vende të botës, nga Meksika e Afrika e Jugut deri në Irlandë e Rumani. Si rezultat i kësaj konference, të një cilësie të lartë të organizimit e të punimeve që u prezantuan (natyrisht jo të gjithave, por me përzgjedhje te punimeve cilësore), u publikua botimi i materaleve të konferencës, në anglisht dhe në shqip (për shkak të respektimit të gjuhës së nikoqirit), nën standardin “double blind peer review” që është standard i botimeve të këtij komisioni, kudo që publikohen materialet e këtyre konferencave. Studiuesit nga Dega e Folklorit e IA, janë pjesëmarrës të rregullt të këtyre konferencave si edhe të pranishëm në publikimet e tyre që nga viti 2012. Të vetizoluar a?                                                                                           

Publikimet e studiuesve të Degës së Folklorit, botohen në revistën “Gjurmime Albanologjike” të serisë Folklor dhe Etnologji (gjithmonë me rezyme në anglisht që është e lehtë të vërtetohet), të cilën e nxjerr Instituti Albanologjik bashkë me dy seritë e tjera (Filologjia dhe Historia), dhe  që të gjitha publikohet online rregullisht në Platformën elektronike të revistave të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEOL), që nga numri 25 i vitit 2005 (fakt ky që ju e keni injoruar në Raport, për të dëshmuar qëllimisht të kundërtën se Instituti nuk i publikon në internet punimet e veta), dhe  gjendet lehtësisht në platformën www.ceeol.com. Hulumtimi juaj për këtë është i pamjaftueshëm ose fshihen të dhënat qëllimisht! Në këtë platformë folkloristët e Institutit i gjeni me publikime në anglisht edhe krahas revistave të tjera në gjuhën angleze siç është “Ethnologia Balkanica”. Gjithashtu në revistën GJA-Folklor dhe Etnologji janë botuar edhe përkthime nga anglishtja në shqip të studimeve të autorëve të huaj, të cilët kanë ligjëruar në Institut në kuadër të projektit të kësaj dege me titull “Konsultimi me ekspertë rajonalë e ndërkombëtarë nga sfera e studimeve të kulturës tradicionale”, ku profesorë nga Finlanda, Bullgaria, Skocia e Sllovenia kanë referuar modele nga studimet e tyre, krahas diskutimeve me studiuesit vendorë.                                                                                                             

Hulumtimet nga shkencat humane që trajtojnë kulturat nacionale nuk publikohen detyrimisht në platformat Scopus dhe Web of Science, dhe në rrjedhim nuk matet puna e tyre sipas standardeve të shkencave ekzakte apo ekonomike e medicinale. Kjo çështje është problematizuar tek kjo kategori e studiuesve në shumë shtete të rajonit dhe më gjerë, ku disa prej tyre (Sllovenia e Kroacia, me sa jam ne dijeni) kanë arritur ta zgjidhin me futjen në standard për vlerësim të revistave të veçanta nacionale që publikojnë studimet nga këto fusha. Integra-s është i është dashur pak më shumë hulumtim në këtë drejtim, por me atë rast nuk të arrinte ta siguronte këtë raport të të vetëkënaqurve!                                                                                       

Publikime të tjera të standardit të leximeve të punimeve nga dy autorë me identitet të fshehur (“double blind peer review” sipas Integra-s) folkloristët i kanë realizuar në publikimin më të madh të studimeve për eposin shqiptar, i botuar më 2016 nga Instituti Albanologjik, si rezultat i konferencës që u mbajt më 2010, ku 2/3-tat e pjesëmarrësve qenë ndërkombëtarë. Nuk mund të besoj se nuk e keni parë këtë publikim 2-vëllimësh me mbi tetëdhjetë punime të studiuesve shqiptarë dhe botërorë të epikës?                                                                                                                      

Gjithashtu për hir të informimit tuaj, krahas kundërargumentimit të tezës suaj për ‘vetizolim të Institutit’ më duhet t’ia shtoj vetëm edhe dy të dhëna. Autorja e këtyre rreshtave që në vitin 2006, pas një pune gati dy vjeçare, publikoi zërin për folklorin shqiptar (artikull 20 faqesh), në kuadër të publikimit më të madh botëror për folkloret e botës ku përfshihen 200 popuj (me botues Greenwood Publishing House, nëse ju ka rënë të dëgjoni?). Gjithashtu, vetëm këtë muaj në enciklopedinë e Groove Music Online të Oxfordit u publikua zëri enciklopedik për muzikën tradicionale në Kosovë, me autor Visar Munishin, etnomuzikolog nga kjo degë. Të vetizoluar a? Kësaj vazhde kam për t’i shtuar edhe shumë dëshmi të tjera, të cilat ju i keni pasur në dispozicion, por i keni injoruar qëllimshëm!                                                                                                   

Dhe në fund, por i një peshë dhe rëndësie të veçantë, i shkruar pasaktësisht në  raportin e Integra-s, ishte cilësimi i projektit për ribotimin e vëllimeve të veprës së prof. Anton Çettës, si i vetmi projekt i kësaj dege dhe madje i papërfunduar??!! Pasaktësia e kësaj të dhëne nuk ka arsyetim, por ndoshta mund t’ju kuptoj kur e shoh se e keni vënë në diskutim rëndësinë e këtij projekti, të cilin e keni pasur krahas edhe të gjitha dëshmive të tjera të punës sonë, të cilat i keni mohuar, injoruar e shtrembëruar si fakte?! Përgatitja e këtyre vëllimeve nga punonjësit e Degës së Folklorit në bashkëpunim me familjen e profesorit, ka dy vite që ka përfunduar dhe pret në CD, e gatshme të dërgohet në shtyp. Vonesa deri tani është e pajustifikueshme. Kjo është dashur  të bëhet shumë më përpara. Është e vërtetë se korpusi 13 vëllimësh i punës së profesor Anton Çettës, prej projektuesi, mbledhësi e përgatitësi të vëllimeve të folklorit shqiptar e themeluesi të folkloristikës në Kosovë, i ka tetë vëllime të riobotuara të këtyre materialeve dhe pesë botime të reja dhe të ristruktuara, por grupimi dhe sistemimi i tërë punës së tij në folkloristikë, në krijimtari për fëmijë, intervista e letërkëmbime, e i veprimtarisë së tij në Aksionin e pajtimit të gjaqeve (vetëm njëri vëllim e përfshin këtë veprimtari të tij), si një tërësi bëhet për herë të parë.  Parë në këto përmasa, tërësia e veprës së tij flet për një figurë qendrore të shtet-ndërtimit tonë dhe karakterit kombëtar e shtetëror. Vlera e tyre historike dhe materiale e tubuar në një grup vëllimesh, është e pakontestueshme për trashëgiminë tonë kulturore, arsimore e shkencore, dhe kjo nuk don shumë mend për ta ditur, por siç shihet qenka e pamjaftueshme për Integra-n. Epo s’ka si të jetë ndryshe, kur në 50 faqe raportim synohet të vlerësohet puna 66 vjeçare e një institucioni me afër 600 vepra të botuara. Kuptohet se i izoluar do t’u duket Instituti, se as që e keni idenë për punën e tij! Veç përpara Integra! Uroj t’i keni përmbushur standardet që ju kanë kërkuar!

/KultPlus.com

Të ngjajshme