Rastësisht u fut në not, Rita Zeqiri: Me punë e përkushtim arrita deri në Olimpiadë

7 Nëntor, 2020 - 1:16 pm

Federata e Sporteve të Ujit të Kosovës është asociacion i pavarur sportiv, OJQ , e cila bashkon të gjithë notarët, trajnerët,  gjyqtarët,  veprimtarët, drejtuesit e sporteve të ujit si dhe dashamirët e këtyre sporteve në Kosovë nëpërmjet klubeve, ku kjo federatë është anëtare e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ky lloj i sportit është i zhvilluar edhe nw Kosovw, me gjithsej 20 klube  dhe rreth 500 notues. Këto klube funksionojnë në: Malishevë, Prishtinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Prizren, Orllan, Gjilan, Pejë, Gjakovë dhe Ferizaj.

Astrit Haliti, sekretar i përgjithshëm nga Federata e Sporteve të Ujit të Kosovës, ka treguar për KultPlus se sporti i notit daton në  Kosovë nga viti 1951, dhe është zhvilluar gjatë periudhës së para luftës në kushte kryesisht  të  verës , për shkak të mungesës së pishinave të mbyllura, për tu ndërprerë në vitin 1991, nga masat e dhunshme të asaj kohe, ndërkohë si i pavarur është rithemeluar nga viti 1997.

“Nga periudha e themelimit si i pavarur e në  veçanti pas luftë,s sportet e ujit kanë pësuar ndryshime, si në organizime ashtu edhe në pjesëmarrje në  masovitet sa i përket zhvillimit të masovitetit, janë vitet e fundit nga viti 2012 e këndej që ka filluar të zhvillohet më hovshëm, ndërsa sa i përket rezultateve kemi një ndryshim të madh pozitiv por që ende është larg nga dëshirat dhe rezultatet e nivelit evropian dhe botëror. Ndërtimi i disa pishinave të mbyllura private si dhe atyre të hapura ka bërë që sportet e ujit të kenë një  zhvillim më  të mirë, por se çmimet të cilat paguajnë  sportistët dhe klubet janë  shumë të larta, si p.sh.  1 orë  stërvitje paguhet rreth 2.5€ që është  shumë  e lartë  duke u bazuar edhe në  kushtet ekonomike të  familjeve tona nëse një  sportist dëshiron të  merret intenzivisht  me sportin e notit, atëherë duhet të paguaj në muaj,  nëse ushtron 30 seanca do të  kushtonin rreth 75€ pa i shtuar këtu edhe pagesën e rrugës apo transportit deri në pishinë pasi që nuk ka pishina në qytet.  Mos te flasim për sportistët që stërviten 2 orë në ditë, sepse ka një  kosto shumë të lartë!”,  ka thënë Haliti, i cili më tutje tregon se  Federata ka rreth 20 klube që funksionojnë  në qytete të ndryshme, dhe që  numri më i madh i tyre është i koncentruar në Prishtinë.

“Tani në procedura të regjistrimit janë edhe 3 klube të reja, një nga qyteti i Pejës, një nga qyteti i Istogut dhe një nga qyteti i Skenderajt, gjendja e Klubeve  sigurisht  nuk është më e mira e mundshme, por se dashamirët e mëdhenj të notit, punëtoret e notit, trajnerët dhe prindërit e sportistëve janë ata që po i mbajnë dhe i ndihmojnë klubet që të funksionojnë, ndoshta jo me numër shume të madh të sportistëve por të kënaqshëm”, duke shtuar poashtu se interesimi është i madh, kryesisht i moshave të reja të  fëmijëve, por nuk mungojnë edhe persona që vijnë në formë rekreacioni të bëjnë not.

Haliti për  KultPlus gjithashtu tregon se sa i përket garave, ato zhvillohen në bazë  të kalendarit të garave që hartohet çdo vit nga Federata, ku përfshihen deri në 30 aktivitete të ndryshme, si gara vendore ashtu edhe ndërkombëtare, por klubet zakonisht  marrin pjesë  edhe në  mitingje të ndryshme e që në  shumicën e viteve kalon edhe 40 aktivitete.

Sigurisht, sikurse edhe në  çdo sferë të  jetës pandemia ka ndikuar negativisht edhe në sportin e notit, por se klubet kanë  filluar të punojnë pas lirimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë këtë vit, Federata ka organizuar 2 kampe dhe  5 aktivitete garuese dhe ka qenë pjesëmarrëse  edhe në  disa mitingje të notit jashtë Kosove, planifikohet edhe organizimi i disa aktiviteteve tjera nëse na lejon kushtet deri në fund të vitit” ka thënë ai.

Haliti ka thënë se Federata ka një memorandum të  bashkëpunimit me MKRS, në  bazë të rregullores së  kategorizimit të  porteve që e bën Komiteti Olimpik dhe sigurisht ka një  mbështetje të  kënaqshme nga MKRS.

 “Klubet kryesisht  mbështeten nga komunat, por këtë  vit janë  mbështetur edhe nga Federata. Problemi më i madh  i notit është infrastruktura, ndërtimi i pishinave në komuna aktivizon edhe komunat ku sot nuk kemi not, andaj apeli jonë është te ndërtohen pishina dhe të mësojmë të notojmë” shtoi ai për KultPlus.

Rita Zeqiri, notare e K.Step Prishtina, e cila prej moshës 9 vjeçare ka që merret me sportit  notit, por para se të merrej me këtë sport, ajo ka qenë pjesë e klubeve të ndryshme të sporteve si : basket, karate, tenis etj. Për KultPlus ajo ka thënë se në përgjithësi ka shikuar sport, dhe që është marrë me shumë sporte në të njëjtën kohë, duke vazhduar me tutje se është dalluar gjithmonë si tip energjik dhe sportiv.

“Në not kam përfunduar krejt rastësisht, kur në vitin 2005 në pishinën e atëhershme e cila ishte afër vendit të punës së  prindërve kanë  zhvilluar aktivitetin klubet sportive, e ku talentin tim dhe e zbulojnë trajnerët e atëhershëm, dhe më ftojnë  për stërvitje. Pas 3-4 muajsh  ushtrime isha pjesë e Kampionatit të Kosovës e cila ishte gara e parë për mua dhe u stolisa me medaljen e artë,  edhe prej atij momentit kam vazhduar me u marrë me këtë sport për 12 vite”.

Zeqiri më tutje tregon se në vitet 2005/06 kur ka  filluar me u marrë me këtë sport, noti ka qenë një sport i panjohur në Kosovë pa pishina , pa shumë trajnera dhe më shumë pak klube që kanë zhvilluar aktivitetin.

“Noti në Kosovë fillon zhvillimin e saj tek kur filluan garat e para ndërkombëtare, rreth vitit 2009 -2010, e pastaj me hapjen e klubit të notit STEP, me sukseset e para në  arenën ndërkombëtare dhe me hapjen e pishinës së klubit . Noti po shndërrohet në një sport masiv me sukseseve të mëdha në  arenën ndërkombëtare, por ende kemi ngecje të mëdha të zhvillimit të këtij sporti  jashtë qytetit të  Prishtinës e cila është si rezultat i mungesës së kushteve , kapaciteteve njerëzore e keqmenagjimeve që ndodhin çdo ditë në sportin tonë  e në shumë sporte tjera”.

Olimpiada është ngjarja më e  madhe sportive në botë, është epilogu i çdo karriere sportive, dhe ëndrra më e madhe që mund të ketë një sportist, tha Zeqiri për KultPlus, e cila më tutje tregon se  e veçanta e pjesëmarrjes së saj në Olimpiadë, ndërlidhet ngushtë me rëndësinë që ka pasur  kjo ngjarje për Kosovën, si në aspektin sportiv ashtu edhe politik e diplomatik, duke marr parasysh që për herë të parë shteti i Kosovës parakalon me sportistët e vetë në një ngjarje që shikohet nga mbi 2 miliard njerëz.

“Normalisht rrugëtimi im ka pasur shumë suksese dhe sfida tjera të cilat është dashur  me i kalu para se me mbërri në olimpiadë dhe për të cilat duhet  folur  gjatë dhe nuk mundem t’i veçoj për nga rëndësia edhe për nga suksesi që kam arritur, sepse për të arrit  deri tek lojërat olimpike, është  një cikël 4 vjeçar i ndjekjes së garave kualifikuese dhe të cilat kanë  lënë  shenjë  shumë  të madhe në karrierën time përpos Lojërave Olimpike”.

Zeqiri ka thënë gjithmonë  që mungesa dhe pengesa më  e madhe në Kosovë  është  sistemi tepër i dobët sportiv, keqmenaxhimi nëpër federata e klube, dhe mungesa e kapaciteteve njerëzore që punojnë me talente.

Përndryshe theksi tek  kushtet si pishinat e palestrat përcjellëse vjen krejt në fund për nga rëndësia, sepse ne mundemi me pas pishina në çdo qytet,  por prape një  sportist elitar në Kosovë do të ndeshet me probleme tjera gjatë rrugëtimit të tij dhe jo me pasjen ose mos pasjen e një pishine për të ushtruar” , e cila me tutje tregon se sa i përket mbështetjes, disa  gjëra gjatë viteve në përgjithësi  kanë shënuar progres, por progres shumë të ngadalshëm.

“Në krahasim me vendet në rajon Kosova qëndron ende larg në disa pika sa i  përket mbështetjes së notareve. Në raport me klubin më të suksesshëm në  histori të notit të Kosovës, me sportistët më të suksesshëm dhe me klubin më masiv në vend, qasja e institucioneve ka qenë diskriminuese , jo mbështetëse dhe kemi histori të gjatë të “luftës” dhe mospajtimeve me institucionet sportive, kryesisht që  kanë  të bëjnë  me përkrahjen e sportistëve elitar të klubit dhe Kosovës” tha ajo për KultPlus.

Zeqiri thotë se për momentin është duke e jetuar ëndrrën qe e ka pasur kur ka qenë notuese aktive.

“Definitivisht noti në Prishtinë është  aktivitet që prindërit po zgjedhin për fëmijët e tyre, dhe fëmijët po kanë një ambient që i plotëson kërkesat e tyre, si për zhvillim sportiv, ashtu edhe rekreativ. Për momentin jam tepër e lumtur që po e shoh notin si një ndër sportet që po merr më  së shumti hov, dhe pjesëmarrja e të rinjve në këtë aktivitet po rritet çdo ditë e me shumë” shtoi ajo.

Ajo thotë se të gjitha garat e mëdha  janë anuluar  për këtë vit, për shkak të situatës. “Me motrën Edën e kemi pasur vetëm një garë në Sofie të Bullgarisë, e cila është garë kualifikuese për lojërat olimpike, tashmë të  shtyra për vitin 2021, dhe 2 gara tjera i kemi pasur në Shkup me grupmoshat e reja, përndryshe deri vitin tjetër të gjitha garat janë anuluar, por fokusi dhe energjia mbetët tek lojërat olimpike dhe rrugëtimi i Edës drejt Tokyos”.

Zeqiri tregon për KultPlus se marrja me sportin e notit është jashtëzakonisht e rëndësishme për shëndetin, jo vetëm fizik por edhe mental, për situatën  në të cilën po e kalon e gjithë bota, të merremi  sa më shumë me aktivitet fizik, jo vetëm me not. “Për benefitet e notit ka folur  shkenca dhe ata të cilët e kanë provuar, padyshim të gjithë e kanë vërtetuar që është sport i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm për nga numri i benefiteve që ka për trupin dhe mendjen. Me mësimin e disa lëvizjeve elementare dhe bazike me not mund  të merren fëmijët prej moshës  3 vjeçare deri te moshat e shtyra” shtoi ajo për KultPlus.

Valon Gashi, i cili është arsimtar i edukatës fizike në American School of Kosova, tregon se notin e jep si lëndë, dhe arsyeja se pse ka zgjedhur ta jep notin si lëndë është sepse ai është marrë me not që nga fëmijëria, kurse nga ana profesionale ka nisur që nga viti 2015.

Unë kam qenë gjithmonë adhurues i sportit, jam marrë me zhytje në ujë  në klubin e zhytjes Prishtina. Një ndër lëndët që kam mësuar në universitet ka qenë dhe noti, ku jam aftësuar edhe profesionalisht dhe nga dëshira e madhe e nxënësve të shkollës për ta mësuar notin, kam filluar me kurset jashtë orarit mësimor”. I cili më tutje tregon se mësimi i notit nuk është i vështirë kur ekziston dëshira për ta mësuar këtë sport, dhe se puna e tij është më e lehtë për t’ua mësuar për shkak të entuziazmit që ata kanë.

“Lodhja, stresi e të tilla gjëra largohen, kur shoh nxënësit që përmirësohen sa i përket mësimit të notit, si nga ana shëndetësore ashtu edhe nga ana profesionale”.

Gashi poashtu thotë se nëse një person vendos të merret me një aktivitet sportiv, atëherë rekomandimi i tij është noti, për arsye që e fut trupin në funksion të përgjithshëm, (muskuj të jashtëm,  mushkëritë, rregullimi i frymëmarrjes, dhe relaksimi që  uji e jep në përgjithësi) .

Kurse sa i përket zhvillimit të notit si sport në Kosovë, Gashi tregon se noti si not, 10 vitet e fundit  ka ngritje shumë  të  madhe në  aspektin profesional, ku në shumë klube numri  i nxënësve apo studentëve të cilët dëshirojnë të aftësohen profesionalisht, është shumë i madh.

“Nuk ka vende mjaftueshëm për mësimin e notit për arsye se nuk ka investime, por sa  i përket shkollës ku un jap mësim, aktivitetin e notit e mbajmë  në qendrën sportive Step Center , për arsye te kushteve të cilat ajo qendër i ofron”  tha  ai për KultPlus. E gjithashtu duke shtuar se mbështetjen më të  madhe e marrin nga shkolla amerikane ku ai punon, nga prindërit për besimin e punës që ai e bën, dhe nga klubi “Step Center” për zhvillimin e orës së notit./ Linda Krasniqi/ KultPlus.com

Të ngjajshme