Reagon Këshilli për Sport pas lajmeve për kurdisjen e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës

24 Shkurt, 2023 - 1:47 pm

Këshilli për sport ka reaguar sot pas lajmeve për kurdisjen e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës.

Përmes një komunikate, ata janë shprehur se kanë kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.

Ky është reagimi i plotë:

Ndërlidhur me çështjen e adresuar gjatë ditës së djeshme dhe sot nga mediet elektronike në Kosovë, të cilat i referohen shkrimeve të disa mediumeve franceze, në të cilat flitet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës.

Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.

Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media.

Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive.

Me respekt,
Besim Kelmendi
Kryetar i Këshillit për Sport. / KultPlus.com

Të ngjajshme