Reagon Komuna e Prishtinës pas lajmeve për Hamamin e madh të Prishtinës: Restaurimi i Hamamit nuk është anuluar

14 Prill, 2021 - 6:59 pm

Komuna e Prishtinës ju njofton që projekti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sa i përket restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë nuk është anuluar, mirëpo është anuluar vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nga komisioni i Ankesave në IKMM. 

Anulimi i vendimit nuk vjen si pasojë e emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës, siç po shkruhet në disa media, por shkaku i disa problemeve të tjera në projekt, si: paramasa, plani dinamik, etj. 

Ju njoftojmë që, Këshilltari për Media i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka deklaruar për media që projekti është pezulluar. Ndërsa, Komisioni i Ministrisë së Kulturës deklaron se është anuluar vendimi i IKMM, që nënkupton se projekti është hedhur poshtë. Pezullim do të thotë që projekti mund të rishikohet dhe të plotësohet, përderisa në vendim të komisionit kjo nuk shkruhet. 

Andaj, Komuna e Prishtinës kërkon sqarim të menjëhershëm rreth këtyre deklaratave që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën e për të cilat vendime Komuna e Prishtinës nuk është njoftuar paraprakisht, por lajmin e ka kuptuar nga mediat.  Fakti që qytetarët po dezinformohen dhe mediat informohen para institucionit për një vendim të tillë është shqetësues. 

Ndërkohë, Qerim Ondozi këshilltari i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku ka reaguar duke thënë se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave pas pranimit të ankesave nga Inspektoriati i Trashëgimisë Kulturore dhe disa profesor të Universitetit ‘Hasan Prishtina’, ka dalë me vendimin për anulimin e vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Tutje ai ka shtuar se komisioni ka vërejtur se projekti nga ana e IKMM-së nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale teknike, si dhe është konstatuar se projekti ka mangësi në dy elemente të rëndësishme, të shqyrtimit paraprak të historikut të ndërtesës dhe arsyetimit të arsyetimit të zgjidhjes së propozimeve konservuese-restauruese.

“Në bazë të këtij vendimi, komisioni ka vërejtur se shqyrtimi dhe miratimi i projektit nga ana e IKMM –së, nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale dhe teknike, të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi që e rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës. Gjithashtu ky komision, pas analizës së hollësishme të dokumentacionit teknik dhe tekstual, ka konstatuar se projekti ka mangësi, në veçanti në argumentim të dy elementeve të rëndësishme”, ka thënë ai.

Teksa ka shpjeguar arsyet Ondozi ka theksuar se mungesa e gjetjes së dëshmive dhe vendosjes së elementeve të reja duke I vendosur elementet e reja nuk mund të hartohet vetëm në hipoteza.

Në rast se nuk ka dëshmi të gjendjes burimore edhe pas hulumtimit, projekti i konservimit dhe qasja e restaurimit apo kthimit të monumentit në një periudhe të caktuar kohore duke i zhbërë elementet tjera që janë shtresëzuar brenda pesë shekujsh, dhe duke vendosur elemente të reja, nuk mund të hartohet mbështetur vetëm në hipoteza”, pohoi tutje Ondozi./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme