Reformë në sektorin audiovisual, Ministria e Kulturës dëgjesa me profesionistët e filmit

2 Qershor, 2025 - 7:37 pm

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit zhvilloi një dëgjesë me profesionistë të industrisë së filmit dhe audiovizualit, për të diskutuar sfidat dhe potencialet e këtij sektori që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë shqiptare, por që ende përballet me vështirësi të shumta.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga ky takim, ku morën pjesë emra të njohur të skenës kinematografike shqiptare, producentë, regjisorë, skenaristë, autorë dhe përfaqësues të tjerë të industrisë kreative.

Gonxhja bëri të ditur se, diskutimet në këtë takim, u përqendruan në disa çështje kyçe, si: nevoja për përmirësime ligjore në sektorin kinematografik dhe audiovizual, që të pasqyrojnë realitetin dhe zhvillimet bashkëkohore; rritja e fondeve publike për prodhime filmike dhe krijimtari të reja dhe mbështetje alternative; lehtësira fiskale për nxitjen e tregut vendas dhe tërheqjen e investimeve të huaja; si dhe mbështetje e cilësisë artistike dhe zhvillimi i një ekosistemi të qëndrueshëm për industrinë kreative.

“Kjo dëgjesë përbën hapin e parë të një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, ku grupet e interesit ftohen të japin kontributin e tyre në funksion të reformimit të kuadrit ligjor dhe ndërtimit të një strategjie afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë”, shkroi Gonxhja./KultPlus.com

Të ngjajshme