Regjisori Coppola mesazh për Italinë: Shpirti i shpresës, nuk do të thyhet kurrë! (VIDEO)

8 Prill, 2020 - 3:30 pm

Me Italinë që po lëngon, por nuk dorëzohet, janë bashkuar përmes mesazheve të shpresës e solidaritetit personalitete nga fusha e artit e kulturës në mbarë botën.

Kësaj here një nga figurat kyçe të Hollivudit, regjisori Francis Ford Coppola, i njohur për triologjinë e “Godfather”, në 81-vjetorin e tij të lindjes, në 7 prill, ka vendosur në qendër të vëmendjes “Il bel paese”, për shkak të situatës së vështirë që po përjeton prej përhapjes së virusit korona.

Në 7 prill që koincidon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, Coppola bëhet zëri që përshkruan dhimbjen që ka kapluar Italinë, për jetët e humbura, ata që po luftojnë, dhe guximtarët që mbajnë frymën e shpresës gjallë, duke ripërsëritur “gjithçka do të shkojë mirë”. 

Videon e Coppolas e kanë shpërndarë në rrjetet sociale shumë artistë edhe kompani të njohura,  duke e shoqëruar me shënimin “Nga ‘Italia e vogël’ për Italinë, Francis Ford Coppola bëhet zëri i një mesazhi shprese. “Zemrat tona janë me gjithë të prekurit nga ky virus”.

Në këtë mesazh shprese Coppola thotë: Ne jemi gjendur edhe në rrethana më të vështira kohë më parë, dhe ju e dini, se gjithmonë kemi gjetur diçka që të na bëjë të vazhdojmë përpara: një shtysë e brendshme, vendosmëria për t’u përballur dhe për të përqafuar të panjohurën, shpirti i shpresës që nuk do të thyhet kurrë”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme