2 Maj, 2025 - 8:11 pm
Himara çel sot sezonin turistik me festivalin dyditor “Magji mbi Jon”.
Në kuadër të çeljes së sezonit do të mbahen edhe një sërë aktivitetesh të ndryshme.
Aktiviteti i parë ishte ai në orën 9:00 ku njeriu i rekordeve botërore dhe të Guinness-it, Agim Agushi, pas shumë sukseseve edhe ndërkombëtare, ishte në Himarë ku edhe fitoi rekordin e 16-të botëror të xhonglimit të topit me kokë duke veshur 14 bluza në një hapësirë vetëm 1 m2.
Në një performancë në qendër të qytetit bregdetar, Agushi ia ka arritur të fitojë certifikatën botërore, duke lënë një shenjë të suksesit të tij edhe në qytetin bregdetar.
“Është rekordi i 16-të, i cili u arrit në Himarë, në një disiplinë e cila është kërkuar nga selia e librit të Guiness në Londër, veshja e 14 fanelave duke xhongluar me top dhe duke qëndruar në një hapësirë 1 m2. Prej sot Himara do të jetë në librin e Guinness. Certifikatën me emrin e Himarës do t’ia sjell kryetarit të bashkisë”, tha Agim Agushi.
Kryetari i bashkisë Himarë shprehet i lumturi që Agim Agushi ka zgjedhur Himarën për këtë rekord, duke e nisur me këmbë të mbarë çeljen e sezonit turistik
“Kënaqësi për mua dhe Himarën. Ky nuk do të jetë rekord i Agimit, por rekordi i Agim Agushit në Himarë”, tha Vangjel Tavo.
Agim Agushi është fitues edhe i rekordeve të tjera Guinness në disiplinat e lira, pasi ka mundur të lërë pas polakun Dariusz Kolodziczyk.
Gjithashtu, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo vizitoi sot edhe panairin e ngritur në zemër të Himarës “Shije, art dhe traditë”.
Panairet e çeljes së sezonit sjellin prodhime vendase, zeje artizanale dhe shumë ngjyra që pasqyrojnë shpirtin e jugut, theksoi Tavo në një postim në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com