11 Gusht, 2025 - 7:03 pm
Parku Kombëtar i Butrintit ka shënuar një rekord historik vizitueshmërie për vitin 2025, duke tërhequr mbi 150,000 vizitorë vetëm në shtatë muajt e parë të vitit. Vetëm gjatë muajit korrik, parku u vizitua nga 44,555 persona, shifër që përfaqëson një rritje prej 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Drejtoresha e parkut, Jorida Muho, konfirmon se përveç numrit të vizitorëve, është rritur ndjeshëm edhe të ardhurat. “Në korrik të këtij viti kemi arkëtuar 165% më shumë të ardhura sesa në korrik të vitit 2024, për një total prej 1.5 milionë eurosh.” Sipas saj, fundjavat janë periudha më e ngarkuar për parkun, ku krijohen radhë të gjata në hyrje, transmeton KultPlus.
Gjatë këtij sezoni, përveç turistëve vendas, një numër i madh vizitorësh ka ardhur nga Polonia. Klaudia Broda, udhërrëfyese me origjinë polake, prej 8 vitesh sjell grupe turistësh në Butrint. “Butrinti mbetet një magji jo vetëm për mua, por për të gjithë bashkëkombasit e mi, që kërkojnë të mësojnë diçka më shumë përtej guidës klasike. Por do t’ju them se ishte vërtet një surprizë për mua sot, pasi më kërkuan të paguaj biletën 10 euro, ndryshe nga çfarë ndodh kudo në Europë, ku udhëheqësi i guidës është falas.”
Mes vizitorëve të huaj këtë korrik ishte edhe
Mattia Esposito, përfaqësues i një grupi rotarianësh italianë që kanë themeluar së fundmi klubin e tyre në Sarandë. “Ka qenë një fundjavë shumë e rëndësishme për ne të Rotary. U pasuruam edhe shumë me vizitën në këtë Park Arkeologjik, pasuri botërore. Tani po mendoj se ‘Butrinti’ është emri i duhur që i vendosëm edhe Rotary-t të Sarandës, pasi Butrinti është një pasaportë ndërkombëtare.”
Një nga atraksionet kryesore të korrikut ishte hapja për publikun e dy mozaikëve të rrallë: ai i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit, të cilët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 gusht.
Butrinti, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1992, përfshin një zonë të pasur me monumente historike si Teatri, Bazilika paleokristiane, Tempulli i Asklepit dhe Porta e Liqenit, një thesar i gjallë i kulturës dhe historisë shqiptare./KultPlus.com