Rekord vizitorësh në muzeun ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ në Krujë gjatë vitit 2023

10 Janar, 2024 - 9:41 pm

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, ka shënuar një rritje prej 65% më shumë vizitorë vitin e kaluar në krahasim me 2022-shin.

Sipas statistikave të publikuara nga muzeu nga janari deri në dhjetor të 2023 ai u vizitua nga 110,162 vizitorë vendas e të huaj.

“Pjesa më e madhe e vizitorëve janë turistë të huaj si nga  Polonia, Spanja, Italia, Gjermania dhe ShBA-ja. Ndërsa vazhdon dhe tradita e vizitave nga shqiptarët e të gjitha trojeve dhe nxënësve të shkollave”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të Muzeut të Krujës.

Ndërkohë që edhe muaji janari vazhdon me trend rritës të numrit të vizitorëve. Vetëm tre  ditë më parë Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e vizituan 15 operatorë turistikë nga Kina, pjesë e një FAM Trip, organizuar nga Landways International.

Përfaqësuesit e kompanive kineze shprehën interes dhe optimizëm për rritjen e numrit të turistëve nga ky vend në Ballkan dhe Shqipëri.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë./KultPlus.con

Të ngjajshme