Restoranti në Drilon gatuan mish ariu, shiten online shqiponja

17 Qershor, 2020 - 1:52 pm

   

Një hetim nga organizata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws”, ka zbuluar se një restorant në Drilon, Pogradec, (në Shqipëri) ofron mish nga gjuetia e paligjshme e arinjve. Sipas “The independent”, kjo tregti e paligjshme e jetës së egër, që duhet të mbrohet, ka dalë jashtë kontrollit në vend. Restoranti, gjithashtu reklamon mishin e ariut, në menunë e tij në Facebook.

Studiuesit thanë, se ishte hera e parë që kishin parë mish ariu të gatuar në Evropë dhe ekspertët paralajmëruan që ky lloj mishi i papërpunuar, mund të çojë në shpërthimin e sëmundjeve zoonotike siç është koronavirusi që është përhapur shumë në të gjithë botën.

“Arinjtë kanë më shumë gjasa të jenë burimi një virusi zoonotik, se çdo grup tjetër i specieve. Gatimi i mirë është shumë i efektshëm për të shkatërruar virusin Covid-19 dhe infeksione të tjera, por konsumi i mishit të ariut është natyrisht, shumë i papëlqyeshëm për shumë arsye, duke përfshirë konservimin dhe mirëqenien e kafshëve, nëse ato janë mbajtur në robëri më parë, duke u vrarë ”, theksoi ai.

Mishi mund të shkaktojë sëmundjen e parazitëve, me simptoma si: diarre, ngërçe, ethe dhe haluçinacione. Prof. James Wood, drejtor i departamentit të mjekësisë veterinare dhe ekspert infeksionist pranë Universitetit të Kembrixhit, tha se Covid-19 dhe të tjera viruse zoonotike, mund të barten nga mishi i kontaminuar, nga çdo specie.

Sipas hetimit, arinjtë, majmunët dhe zogjtë grabitqarë janë ndër kafshët e gjalla që shiten në vendet e njohura të tregut online në internet, duke ngritur frikë për mbijetesën e këtyre specieve.

Organizata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws” zbuloi se dy nga faqet kryesore në internet të Shqipërisë po publikonin dhjetëra reklama duke shitur arinj të murrmë dhe specie të tjera që mbrohen me ligj. Këto kafshë mbahen në kafaze derisa u vjen koha që të gatuhen apo të shiten.

Ky është një biznes fitimprurës: për shembull, një majmun i vogël kapuçin u ofrua për 750 € (675 £) dhe një buf hambari, një këlysh ariu dhe një ujk, për 500 € secili.

Blerësit janë kryesisht pronarë restorantesh dhe hotelesh, të cilët, i mbajnë kafshët për të tërhequr turistë ose individë që i duan kafshët. Shqiponjat, simboli kombëtar i Shqipërisë, janë veçanërisht të njohura në tregun e shitjes online.

Personat që kryejnë gjueti të paligjshme, mund të burgosen sipas ligjit që u forcua në tetor, por zbatimi i tij është në nivele të dobëta. “Four Paws”, tha se, disa nga reklamat e paligjshme, ishin fshirë, por duke u zëvendësuar me të rejat, më pas.

“Shumë fotografi shfaqnin kafshë, si: dhelpra të mbyllura në kafaz, këlyshë me zinxhirë dhe zogj me këmbë të lidhura” – tha Barbara van Genne, pjesëtare e organizatës.

Majmunët dhe zogjtë e preve, shpesh mbahen në bare dhe restorante në Shqipëri, si një mënyrë për të tërhequr turistët, ndërsa dhelprat shiten për leshin. Ujku është blerë për t’u edukuar me qen, për këlyshët, që të shiten si qen-roje, që zakonisht përdoren në male kundër ujqërve, kurse kafshët e tjera vriten ose balsamosen.

Platformat duhet të prezantojnë masa parandaluese, siç janë identifikimi i shitësit, për të ndaluar këto reklama. Sidoqoftë, problemi kryesor për tregtinë e paligjshme, mbetet mungesa e kontrollit dhe zbatimit nga autoritetet” – theksoi, Van Genne. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme