Rihapet për notarët lumi Sena

6 Korrik, 2025 - 3:46 pm

Lumi Sena në Paris është rihapur publikisht për notarët, për herë të parë që nga viti 1923 pas një ndalimi shekullor, sipas BBC-së.

Hapja sezonale e Senës për not shihet si një trashëgimi kyçe e Lojërave Olimpike Paris 2024, kur notarët dhe triatlonistët në ujëra të hapura garuan në ujërat e saj, të cilat u pastruan posaçërisht për ngjarjen.

Dje në mëngjes, në orën 08:00 sipas orës lokale disa dhjetëra notarë mbërritën përpara hapjes dhe u zhytën në ujë.

Në Senë ka tre zona të caktuara për not publik, një pranë Kullës Eiffel, një tjetër pranë Katedrales Notre Dame dhe një e tretë në Parisin lindor.

Zonat kanë dhoma zhveshjeje, dushe dhe mobilie në stil plazhi, të cilat lejojnë deri në 300 persona të shtrojnë peshqirët e tyre.

Deri në fund të gushtit, tre vendet e notit do të jenë të hapura falas në orare të planifikuara për këdo me një moshë minimale prej 10 ose 14 vjeç, varësisht nga vendndodhja.

Rojet bregdetare do të jenë gjithashtu të pranishëm për të mbajtur nën vëzhgim ata që janë në lumë.

Premtimi për të hequr ndalimin e notit daton që nga viti 1988, kur kryetari i atëhershëm i bashkisë së Parisit dhe më pas president, Jacques Chirac, mbështeti për herë të parë anulimin e tij.

Përmirësimet gjatë 20 viteve të fundit kanë çuar tashmë në një ulje të ndjeshme të baktereve fekale që hyjnë në lumë.

Për 100 vjet, noti në lumë ishte i ndaluar për shkak të niveleve të ndotjes së ujit, që mund të shkaktonte sëmundje te njerëzit.

Përpara Lojërave Olimpike të verës së kaluar, më shumë se 1,4 miliardë euro u investuan në pastrimin e Senës. Por, në prag të lojërave kishte dyshime nëse lumi Sena do të ishte gati për Lojërat Olimpike, pasi u zbulua se nuk i kaloi testet e cilësisë së ujit. Organizatorët fajësuan reshjet e shiut për ndotjen në rritje, e cila kufizoi aftësitë e atletëve për t’u stërvitur për triatlonin, notin maratonë dhe paratriatlonin.

Korrikun e kaluar, kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Olimpik shkuan në Sena për të provuar se ishte e sigurt të notohej në të./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme