Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare në edicionin e dytë në Shqipëri

16 Maj, 2023 - 6:12 pm

 Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN)  është një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.

Pas një programi të suksesshëm përgjatë vitit 2022, ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi se ky program do të vijonte edhe në 2023-shin.

Edicioni i dytë i JKN nis këtë maj e përfundon më 30 nëntor 2023. Ministrja ka prezantuar programin e këtij viti në një konferencë për mediet, e zhvilluar në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.

Programi i këtij viti nis me BE, 16-22 maj, vazhdon me artistët që do të vijnë nga Greqia, nga data 23-29 maj. Ndërsa muaji qershor do të nisë me kulturën italiane.

E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, JKN është vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor.

Nëpërmjet këtij projekti njihen më mire, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore.

Përgjatë vitit 2022, Javët Kulturore Ndërkombëtare angazhuan mbi 700 artistë.

Falë programit dinamik e gjithëpërfshirës, JKN do të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajë mesazhe të forta paqeje dhe pranimi të njëri-tjetrit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme