23 Gusht, 2025 - 11:00 pm
Pas më shumë se pesë vitesh punimesh dhe vonesash të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit është drejt përfundimit të rikonstruksionit. Të premten u njoftua se mbi 2400 objekte arkeologjike do t’i rikthehen qytetit bregdetar, duke e shndërruar muzeun në një qendër moderne dhe tërheqëse për vizitorët.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga punishtja e restaurimit, duke e quajtur projektin një hapësirë të re për turizmin kulturor në vend. Investimi prej 3.5 milionë eurosh është financuar nga programi i Bashkimit Evropian “EU4Culture”, transmeton KultPlus.com
Muzeu, i hapur për herë të parë më 1951, kishte pësuar dëmtime të mëdha nga tërmeti, ndaj u deshën ndërhyrje të thella në strukturë dhe rikonstruksion të plotë të fasadës e hapësirave të brendshme. Përveç ekspozitave, vizitorët do të gjejnë së shpejti edhe një ashensor panoramik, një kënd edukativ për fëmijët dhe një kafene me pamje, për ta bërë përvojën më të këndshme.
Në koleksionin e tij ruhen mbi 3200 artefakte që tregojnë historinë e Durrësit, nga lashtësia deri në Mesjetë. Ndër thesaret më të çmuara janë stelat e varrimit romak, sarkofagët prej guri dhe bustet e Venusit, që dëshmojnë rolin e qytetit si një qendër e hershme e adhurimit të perëndeshës.
Ky projekt synon jo vetëm të ruajë trashëgiminë kulturore, por edhe të kthejë Durrësin në një pikë referimi për turizmin kulturor në Mesdhe./KultPlus.com