Rilindja, protestë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e kundërligjshëm

3 Maj, 2020 - 12:43 pm

Në këtë 3 Maj të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, protestohet duke shpërndarë te institucionet e mediat faqe të botimeve protestuese të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të dëbuar e mbyllur para 18 viteve, ku është shkruar:

Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur (kryetitull në ballinën e para 15 viteve – 3 Maj 2005).

Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet.

A e shihni ku e kani ngujuar gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – Alarm nga bunkeri – Arkivi i Rilindjes pasuri kombëtare që po shkatërrohet.

Shpërdajmë edhe foto nga protestat e gazetarëve e punëtorëve të tjerë të Rilindjes, që në këtë 3 Maj nuk dalin në protestë në sheshe duke respektuar masat e ballafaqimit me pandeminë.

Me dëbimin dhe mbylljen detyrimisht të gazetës tradicionale e historike Rilindja është bërë shkelja më e rëndë dhe e pashembullt e të drejtës dhe lirisë së shtypit në gjithë botën e lirë e demokratike, dhe çuditërisht kjo ka ndodhur në Kosovën me administrim ndërkombëtar dhe me institucionet e veta.

Para 18 viteve, në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, u dëbua dhunshëm nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut.

Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme, e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë.

Para 15 viteve, pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi para 12 viteve – në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 75 vitesh, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Në monografinë “Rilindja 60 vjet” shkruan se “shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”.

Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të kohëpaskohëshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale Rilindja u bë edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues, të shtypur, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në arsyetimin e kërkesës theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Edhe në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit e ritheksojmë sqarimin për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, apo edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë dhe do ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, duke qenë edhe pjesë e këtij procesi. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme