Rinisin paditë kundër dy kompanive të Michael Jackson

19 Gusht, 2023 - 7:27 pm

Dy shtetas amerikanë që akuzuan Michael Jackson se i kishte abuzuar seksualisht në fëmijëri, mund të rinisin paditë e tyre kundër kompanive në pronësi të këngëtarit që vdiq në vitin 2009, ka vendosur një gjykatë apeli në Kaliforni, sipas “The New York Times”.

Wade Robson 40 vjeç dhe James Safechuck 45 vjeç thanë se Jackson i kishte abuzuar për vite me radhë dhe se punonjësit e kompanive Mjj Productions dhe Mjj Ventures kishin vepruar si bashkëpunëtorë, miq intim dhe te besuar, “alter ego” në abuzimet.

Paditë pretendojnë se punonjësit e kompanive kishin një “detyrë kujdesi” ndaj djemve dhe nuk kishin marrë masa për të parandaluar abuzimin.

Historitë e Robson dhe Safechuck u shfaqën në dokumentarin e HBO-së të vitit 2019 “Leaving Neverland”, në të cilin dy personat akuzuan Jackson se i ngacmonte dhe krijonte marrëdhënie me familjet e tyre për të pasur akses në trupat e tyre.

Robson dhe Safechuck ngritën padi kundër kompanive përkatësisht në 2013 dhe 2014, por të dyja rastet u hodhën poshtë në vitin 2017, pasi ato e kishin tejkaluar statutin e kufizimeve të Kalifornisë.

Çështjet u rihapën në vitin 2020, pasi një ligj i ri shtetëror u dha paditësve në rastet e abuzimit seksual të fëmijëve kohë shtesë për të ngritur padi.

Në tetor 2020 dhe prill 2021, paditë u pushuan përsëri kur një gjykatës i Gjykatës së Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit vendosi se dy kompanitë dhe punonjësit e tyre nuk ishin të detyruar ligjërisht t’i mbronin paditësit nga Jackson.

Por, Gjykata e Dytë e Apelit e Qarkut të Kalifornisë vendosi dje se “një kompani që lehtëson abuzimin seksual të fëmijëve nga një prej punonjësve të saj nuk përjashtohet nga detyra afirmative për t’i mbrojtur ata fëmijë thjesht sepse është pronë ekskluzive e “autorit të abuzimit”.

Për këtë arsye, çështjet do të rihapen në gjykatën më të ulët./KultPlus.com

Të ngjajshme