Rinovohet busti dhe lulishtja e Frederic Chopin në Tiranë

19 Qershor, 2020 - 6:00 pm

Rinovohet busti dhe lulishtja e Frederik Shopen (Frederic Chopin) në 210-vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe patriotit polak.

Ambasada polake, me përpjekje të përbashkëta me bashkinë Tiranë, në vigjilje të Ditës Botërore të Muzikës, rinovuan bustin dhe lulishten F. Chopin në 210-vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe patriotit polak. Në ceremoninë modeste, për shkak të COVID-19, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, ambasadori i Polonisë, Karol Bachura, ambasadorja e Francës, Christina Vasak dhe kryetari i Shoqatës “F. Shopen”, Zhani Ciko.

Ambasadori Karol Bachura me këtë rast tregoi fillimisht idenë e  themelimit të Ditës Botërore të Muzikës. “Kjo ide realisht ka lindur në Francë, por që nuk ka munguar edhe theksi polak., sepse idenë e  kremtimit të Ditës Botërore të Muzikës, ditën e parë zyrtare të verës, e hodhi Marcel Landowski, kompozitor francez, por me origjinë polake. Iniciativën e tij e mirëpritën dhe e popullarizuan Maurice Fleuret dhe Jack Lang, ministri i atëhershëm francez i Kulturës. Figura më domethënëse që e lidh këtë ide franko-polake është pikërisht  Frederik Shopen”, tha ai.

Në vijim ambasadori Bachura foli për përcaktimin e kombësisë së kompozitorit Frederik Shopen (Fryderyk Chopin). “Disa e përcaktojnë atë si polak, të tjerë thonë që në thelb ai ishte francez, ndërkohë që të tjerë akoma e përcaktojnë si qytetar të botës mbarë, kjo e fundit duke marrë në konsideratë krijimtarinë e tij. Këto paqartësi dhe mosdakordësi që shfaqen sot, kanë ekzistuar edhe në kohën e vetë kompozitorit. Gjithsesi duket se për kombësinë e artistit dëshmon më së miri qëndrimi i tij për këtë temë. Shopen zbuloi, fisnikëroi gjithçka. Patriotizmin dhe tharmin e  gjithë shpirtit të tij heroik e derdhi në krijimtari: në etyde, balada, nokturne, mazurki apo poloneze.

Krijimtaria e kompozitorit të madh ka pasur një ndikim kolosal në kulturën botërore dhe akoma më të madh në kulturën polake. Në jetën kulturore polake ai ka qenë pranuar gjithmonë si një nga polakët më të shquar. Kështu e kanë parë jetën dhe krijimtarinë e tij edhe kompozitorët e tjerë polakë, por edhe poetët. Të tillë e konsiderojmë sot edhe ne, bashkëkombësit e tij”, shprehet ambasadori Bachura.

Shopeni ka shkruar poezi pa fjalë. Në muzikën e Shopenit dëgjuesit do të gjejnë gjithmonë diçka befasuese, mahnitëse, madje edhe më të pamësuarit me muzikë nuk mund të rrinë dot indiferentë. Emri i Shopenit, rëndësia e muzikës së tij me kalimin e viteve, siç ndodh me çdo krijues të madh, nisi të rritej, të merrte  kuptime të reja, t’u fliste brezave të tjerë. U krijua dora dorës tradita e madhe shopeniane. Shopeni frymëzon me shembullin, më tepër me qëndrimin, sesa me teknikën kompozicionale dhe origjinalitetin e stilit që nuk mund të imitohet- çka përbën paradoksin e traditës shopeniane.

Kjo traditë vazhdon sot e gjithë ditën edhe këtu në Shqipëri, ku funksionon për mrekulli Shoqata “Frederik Shopen” me maestron Zhani Ciko në krye dhe ku kultivohen virtuozë të brezit të ri, të dashuruar me muzikën shopeniane, të tillë si pianistja e re shqiptare, Laura Sulaj, talenti i së cilës u vlerësua, veç të tjerash, edhe gjatë aktiviteteve specifike për shkak të COVID-19 në kuadër të Ditëve të Europës, ku arriti një kulm interpretativ në ekzekutimin në piano të himnit kombëtar shqiptar.

Muzika e Shopenit gjendet në një perspektivë krejt tjetër në shekullin XXI dhe po i reziston çuditërisht më së miri provës së kohës. Shopeni – mishërim i romantizmit, nuk e përjashton portretin e Shopenit në shekullin XXI – si një novator të madh dhe mjeshtër të ofiçinës kompozicionale.

Sot tradita e Shopenit përfaqësohet jo vetëm nga një varg institucionesh të respektuar, autoritetesh muzikore dhe shkencore, por edhe mbetet  përherë fushë e gjallë frymëzimi, frymëzimi të ideve dhe realizimeve të reja dhe para së gjithash burim frymëzim për një rreth të gjerë njerëzish, për të cilët figura e kompozitorit është veçanërisht e dashur dhe e afërt.

“Jam shumë i lumtur që kjo traditë ka zënë vend të përhershëm edhe në kulturën  e Shqipërisë, dhe rrethi i njerëzve që e kuptojnë atë ndikuan në rinovimin e bustit të Shopenit  në Tiranë dhe praninë e tij të përhershme në kryeqytet. Perspektivat e të ardhmes janë të hapura dhe të gjera, për më tepër që muzika shopeniane do të na mrekullojë jo vetëm një herë, do të fitojë zemrat e banorëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”, përfundoi ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme