Rita Ora në Ulqin: Një pushim mes natyrës dhe kulturës shqiptare

5 Shtator, 2025 - 10:36 am

Rita Ora, këngëtarja me famë ndërkombëtare dhe krenaria shqiptare, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj në Instagram një seri fotosh të reja që dokumentojnë momente nga ditët e saj të fundit, nga përgatitjet për evente dhe dalje publike, deri te çastet e rralla të qetësisë dhe reflektimit në natyrë.

Disa nga këto fotografi kanë zgjuar veçanërisht interes te publiku shqiptar, pasi janë realizuar në Ada Bojana, gjatë një vizite të shkurtër të Ritës në Ulqin. Në një nga imazhet më të komentuara, ajo shihet duke mbajtur në dorë një spec të kuq të freskët, ndërsa një tjetër e tregon duke lexuar librin “The List” nga Yomi Adegoke, një moment qetësie dhe introspeksioni që reflekton një anë më të thellë të artistes.

Burime pranë saj kanë konfirmuar se Rita ka qëndruar për disa ditë në Ulqin së bashku me prindërit, Vera dhe Besnik Sahatçiu-Ora, në një udhëtim familjar të shkurtër para rifillimit të angazhimeve të saj muzikore, pjesë e turneut veror që ka përfshirë disa nga festivalet më të mëdha në Europë.

Fotot e publikuara ofrojnë një përzierje të imazhit të saj të përditshëm dhe atij artistik: me stil të lirshëm dhe urban në rrugë, me çantë të madhe në ashensor, duke aplikuar maska fytyre në prapaskenë, por edhe veshur në mënyrë elegante në një makinë luksoze, gjithmonë besnike ndaj stilit të saj unik dhe të dallueshëm.

Në të gjitha postimet spikasin detajet, të cilat Rita i trajton me shumë kujdes, nga syzet e errëta, veshjet minimaliste por me shije, tek bizhuteritë e shumta dhe thonjtë e kuruar në mënyrë perfekte. E thjeshtë, por gjithmonë me klas.

Rita Ora vazhdon të mbetet jo vetëm një ikonë mode dhe zëri i një brezi në muzikën pop, por edhe një ambasadore e heshtur e kulturës dhe identitetit shqiptar. Rikthimet e saj të shpeshta në trojet shqiptare janë një dëshmi e lidhjes së thellë shpirtërore me rrënjët e saj, dhe një mesazh i qartë se, sado larg të jetë fama, ajo nuk harron kurrë se nga vjen./KultPlus.com

Të ngjajshme