Rivitalizimi i Amfiteatrit të Durrësit, Rama: Ndikim i drejtpërdrejtë në turizëm dhe ekonomi

12 Maj, 2023 - 10:40 pm

Amfiteatri madhështor i Durrësit, monumenti 2700-vjeçar, më i madhi që romakët ndërtuan jashtë Romës, do të vazhdojë të zbulohet më tej, me shumë kujdes, si një zemër e hapur e Durrësit antik dhe modern, falë projektit për rivitalizimin e tij, besuar arkitektit të mirënjohur Stefano Boeri.

Ky projekt tejet i rëndësishëm me impakt të drejtpërdrejtë në turizëm dhe ekonomi, është fryt i bashkëpunimit të suksesshëm mes qeverisë dhe bashkisë së Durrësit  për hartimin e një vizioni të ri për Durrësin, si qytet me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor.

Projekti u prezantua këtë mbrëmje në mjediset e Amfiteatrit, nga arkitekti Stefano Boeri me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, ministres së Kulturës Elva Margariti, kryetares së Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe qytetarëve durrsakë.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit, deklaroi se amfiteatri madhështor do të vazhdojë të zbulohet më tej si një zemër e hapur e Durrësit antik dhe modern, duke shfaqur një përmasë monumentale të historisë mijëravjeçare të qytetit ku do të vazhdohet të ndërtohet me vizion, ambicie, aftësi e përkushtim një motor i fuqishëm ekonomik për Shqipërinë 2030.

Rama e cilësoi këtë projekt si sfidues e me shumë kompleksitet.

“Është një projekt i cili vetvetiu është afatgjatë, jo vetëm për arsye financiar, por edhe për arsye të ngadalësisë që imponon ecja “si mbi vezë“, për shkak të kësaj pasurie që është ende e mbuluar dhe duhet zbuluar me kujdes, ashtu sikundër edhe për shkak të domosdoshmërisë së qasjes së butë dhe me përfitim, dhe jo me humbje për banorët dhe të zotët e godine që rrethojnë amfiteatrin”, u shpreh Rama.

Rama tha se ky është një projekt që nga njëra anë garanton vazhdimin e punës së nisur disa vite më parë me zbulimin e një pjesë të kësaj pasurie kolosale, por shtrihet në vazhdim si një projekt i një gjenerate dhe përbën një pasqyrë të një ambicie të madhe.

“Sepse realisht ecuria e këtij projekti do të jetë një tjetër element shtysë për ekonominë, turizmin, artin e kulturën jo thjeshtë të qytetit të Durrësit, por në nivel kombëtar”, u shpreh ai.

Rama vuri në dukje se ajo që e bën Durrësin gjithmonë e më të rëndësishëm në hartën e zhvillimit të përgjithshëm të vendit është fakti se Durrësi, për shkak të pozicionit, potencialit e trashëgimisë ka një peshë specifike që do të shkojë duke u rritur me impaktin kombëtar në të gjitha nivelet.

“Prandaj investimet në Durrës nuk janë investime në një zonë të kufizuar apo nga një bashki, por janë investime që sjellin impakt shumë më të gjerë se sa vet impakti në bashkinë e Durrësit. Kjo i bën qytetarët e Durrësit përfituesit e drejtpërdrejt të parë dhe kryesor, por padiskutim kjo sjell përfitim edhe për të tjerët që nuk janë qytetarë të Durrësit”, theksoi Kryeministri.

Një aspekt tjetër të rëndësishëm theksoi Rama, është rritja eksponenciale e vlerës së pronës në Durrës.

“Ka filluar të ketë një rritje të veçantë, krahasuar edhe me vendet e tjera, përfshirë edhe Tiranën për shkak të projektit të portit turistik, Ky është vetëm një element, shumë i rëndësishëm, që do të rrisë vlerën e pronës së banorëve të Durrësit, ndërkohë që projekti i amfiteatrit është një tjetër element. Ndërkohë që të gjitha projektet e tjera kanë peshën e vet specifike në rritjen e vlerës së pronës, ashtu sikundër edhe projektet kulturore edhe progami i terreneve sportive”, tha Kryeministri.

Rama tha se në Durrës do të zgjerohen në mënyrë të vazhdueshme arteret e qarkullimit të të gjithë energjisë së organizmit të qytetit dhe do të bëjnë që banorët e Durrësit, ose kërkesa për banim të shkojë duke u bërë më e lartë dhe vlera e pronës të rritet.

Rama bëri të ditur se element tjetër është dimensioni i artit dhe kulturës.

“Kemi pasur shumë dëshirë të bëjmë më tepër për sportin. Kemi bërë aq sa kemi mundur, pasi pengesat kanë qenë të jashtëzakonshme e të befasishme dhe na kanë detyruar të bëjmë spostime të vëmendjes dhe fondeve. Vetëm tani na është dhënë mudnësia të hedhim një hap të rëndësishëm për projektin e sportit> Enjëjta gjë vlen dhe për artin dhe kulturën. Këtë vit kemi një financim që është më i larti i të gjitha viteve për kalendarin e artit e kulturës në vijën bregdetare dhe Durrësi zë vendin kryesor”, u shpreh Rama.

Kryeministri informoi se ky program është hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ajo e Kulturës ku peshën kryesore e ka Agjencia Kombëtare e Turizmit. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i një përpjekjeje që çdo vit do të rritet hapësira dhe epsha e aktiviteteve kulturore dhe artistike dukej u dhënë mundësi banorëve të qyteteve kryesore si fillim që të kenë akses edhe më shumë por duke e çuar edhe në pika periferike.

Kryeministri po ashtu deklaroi se një skenë ultramodern lëvizëse e operas do të sjellë premierat e operas edhe në sheshet e qyteteve të tjera të vendit.

Kjo, sipas tij, për tu dhënë mundësi shumë më tepër qytetarëve të konsumojnë edhe këtë lloj produkti.

Njëkohësisht, ai informoi edhe për nisjen e një tjetër projekt në bashkëpunim me Fondin Shqiptarë-Amerikan të Zhvillimit për rikonceptimin dhe rikualifikimin urban të rrugicave e godinave në pjesën e pasme të bulevardit kryesor me vlerë historike./KultPlus.com

Të ngjajshme