Robotët inteligjentë zbulojnë shpellat e lavës, strehim i mundshëm për jetën në Hënë e Mars

21 Gusht, 2025 - 11:35 pm

Një ekip shkencëtarësh evropianë ka zhvilluar një projekt inovativ që synon përdorimin e robotëve inteligjentë për të eksploruar shpellat e lavës në Hënë dhe Mars, hapësira që në të ardhmen mund të shërbejnë si strehime natyrore për njerëzit, raporton The Sun.

Studimi, i botuar në revistën Science Robotics, është testuar në ishullin vullkanik Lanzarote në Spanjë, i zgjedhur për shkak të ngjashmërive me terrenet e Hënës dhe Marsit. Projekti udhëhiqet nga Qendra për Inovacion në Robotikë pranë Qendrës Gjermane për Inteligjencë Artificiale (DFKI).

Sipas studiuesve, shpellat e lavës ofrojnë mbrojtje natyrore nga rrezatimi kozmik dhe goditjet e meteorëve, duke i bërë ato vende ideale për ngritjen e kampeve hapësinore. Për testimet u përdorën tre lloje robotësh, të cilët kaluan terrene të vështira me lava e kratere dhe arritën të zbulojnë një hyrje që çonte në një shpellë të nëndheshme.

Shkencëtarët e DFKI e cilësuan këtë arritje një hap të madh drejt misioneve të ardhshme hapësinore, duke theksuar se bashkëpunimi i sistemeve robotike autonome është thelbësor për eksplorimin e planetëve të tjerë.

Ky zhvillim shoqërohet edhe me paralajmërime nga studimet e vitit 2024, sipas të cilave jeta në Mars mund të ndryshojë dukshëm biologjinë e njeriut. Ekspertët thonë se graviteti i ulët i Marsit (rreth 38% i Tokës) mund të çojë në zhvillimin e tipareve të reja tek kolonët e parë, duke i bërë ndryshe nga njerëzit në Tokë./KultPlus.com

Të ngjajshme