Romani “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” i Ag Apollonit, një version i ri i përrallës së njohur

24 Mars, 2023 - 8:30 pm

Nga Fatlum Meholli

Në mes të Prishtinës dhe Debrecenit të Hungarisë, vitin e kaluar, Ag Apolloni finalizoi dorëshkrimin e romanit të fundit me titull “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, i cili u botua në tetor të 2022-tës. Vlen të theksohet që romani po gëzon sukses të madh në vend, por jo vetëm, sepse së fundmi ky libër u nominua për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi.

Veçoritë e romanit shtrihen në rrafshe të ndryshme, megjithatë shquhen rrafshi tematik dhe ai diskursiv.

Përralla si një lloj i veçantë i krijimtarisë gojore shquhet për kalimin nga një vend në tjetrin, me ç’rast pëson ndryshime duke shtuar e hequr elemente. Njëjtë ndodhë edhe me Kësulëkuqen. Historia njeh variante të shumta të kësaj përralle, afër 60 sosh; ndër më të hershmet cilësohet ajo frënge e shekullit të 17-të, e ndër më të famshmet ajo e vëllezërve Grimm e vitit 1812 me emërtimin “Rötkappchen” me të cilin njihet edhe sot e kësaj dite.

Një version të ri shumë kompleks, qoftë në aspektin tematik apo struktural na sjell Ag Apolloni përmes këtij romani.

Figura e përbotshme e Kësulëkuqes rikrijohet në mënyrë krejt të veçantë. Ajo shndërrohet në figurë alegorike dhe përmes saj shfaqet fati/pozita e gruas në përballje me dashurinë e vërtetë (ujkut-njeri) dhe të përdhunimit (njeriut-ujk). E para është aktuale, e dyta del si evokim i së kaluarës duke ndërfutur ngjarje e figura reale-historike.

Modelimi kompozicional dhe ndërtimi i personazheve

Hetuar tërësisht, romani ndërtohet përmes dy linjave tematike. Njëra është dashuria, ndërsa tjetra përdhunimi. Sikundër e theksuam edhe më lart, e para është mbizotëruese, ndërkaq e dyta shtrohet në formën e reminishencave. Kjo do të thotë që për nga kuantiteti tekstor tematika e dashurisë merr pjesën më të madhe dhe është prezente, kurse përdhunimi shfaqet në pasazhe e skena të shkurtra analeptike duke e rrumbullakuar tematikën në tërësi. Andaj, romani më shumë duhet të lexohet si një histori dashurie fiksionale sesa një roman historik që shtron vetëm fakte rreth përdhunimit gjatë luftës së 99-tës.

Si rrjedhojë romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, tipologjikisht nuk mund ta cilësojmë pastërtish fiksional, por gjithashtu nuk duhet ta konsiderojmë edhe të kundërtën. Ai qëndron në mes të dyjave që gërsheton fiksionin me faktin, duke e bërë përrallën realitet dhe njëkohësisht duke u brengosur për shndërrimin eventual të realitetit në përrallë.

Kjo do të thotë që shtresa ideore e romanit, ndër tjerash, paraqet një çështje shumë delikate që ka të bëjë me pasojat e luftës. Përralla e Kësulëkuqes siç e theksuam më lart burimisht ishte histori përdhunimi, por me kohën është retushuar. Andaj, nëse drejtësia për viktimat e luftës nuk merr epilog së shpejti dhe nuk ngritet zëri vazhdimisht për këtë kategori, rrezikohet që në të ardhmen faktet të humbin e të shtrembërohen duke bërë që realiteti i vrazhdë i asaj periudhe të ndryshohet.

Heshtja kosovare për të ngritur zërin ndërkombëtarisht, në vazhdimësi, për brutalitetin e 99-tës bën që të harrohet e vërteta. Madje kjo më së miri mund të hetohet edhe në roman, sidomos në pjesën kur Maksi bisedon me Metin në kafenenë “Vllaznimi”, i cili ndër të tjerash thekson:

  • Nuk kishte luftë. Kishte një konflikt. Bile as konflikt nuk ishte, po njëfarë grindjeje. Jo, jo, nuk ishte tamam grindje. Ishte, si të them, një mosmarrëveshje. Por, gjithsesi, tash jemi afër një marrëveshjeje përfundimtare me ta.

Drejtësia e tejzgjatur për viktimat e luftës, ka bërë që popullit t’i humb shpresa tejsisht. Kjo bën që individi të pësojë çrregullime mendore nga dyshimet e tepërta mbi të vërtetën. Diskutimi në kafenenë “Vllaznimi” mes Metit e Maksit shkon aq larg, sa ky i fundit i vë në pikëpyetje përdhunimet gjatë luftës:

  • Oh, është një kategori që po flet dhe bash qatyne ua ke çelë gojën me këtë shfaqje.
  • Çfarë kategorie?
  • Të përdhunuarat.
  • Po, leje se këtu s’ka pasë përdhunime. Kanë qenë thjesht përqafime, akte dashurie.
  • Jo, jo . Janë dikund 20 mijë të përdhunuar, gra e burra. Qindra aborte. Së paku njëqind fëmijë kanë lindur nga përdhunimet; disa prej tyre janë braktisë, disa i kanë fshehë ku e qysh kanë mundur, disa janë lënë nëpër jetimore, disa janë mbytur nga nënat e tyre. (fq. 120-121).

Biseda në këtë kafene është shumë intersante, sepse në njëfarë mënyre figurativisht paraqet analogji mes Kosovës dhe Serbisë. Mënyra se si Meti ndërprenë diskutimin në çastin kur hyn Sasha, na ngjan me heshtjen e vazhdueshme të Kosovës për krimet gjatë luftës dhe frikën eventuale.

Strukturalisht, romani ndërtohet kështu: fillimisht kemi të bëjmë me prologun “Përrallë nga e kaluara”, pastaj tridhjetë pjesë të ndara me numra romakë, dhe epilogun “Përrallë nga e ardhmja”.
Prologu shtron shkurtimisht përrallën e njohur të Kësulëkuqes, pastaj kthehemi në aktualitet në të cilin shtjellohet ngjarja mes personazheve kryesore, ndërkaq romani mbyllet me “Përrallën nga e ardhmja” që rrëfehet në një version tjetër nga perspektiva e Loritës.

Kur jemi te personazhet mund të themi që mënyra e ndërtimit të karaktereve të tyre është jashtëzakonisht kompleks. Në qendër të rrëfimit e veprimit janë Maksi, si ujku i sëmurë dhe Lorita si Kësulëkuqja reale. Në fakt, këto dy personazhe paraqesin pjesën kryesore të romanit që ka të bëjë me tematikën e dashurisë.

Për nga profesioni, Maksi është shkrimtar e dramaturg, ndërsa Lorita aktore. Njëri afër 40-vjeç, tjetra 23 vjeçare. Andaj, kjo mund të cilësohet si dashuri atipike që ka peripecitë e veta.

Ngjarjet vendosen prej momentit të takimit mes protagonistëve në një park të Prishtinës. Aty teksa Maksi kishte dalë për ajër të pastër shkaku i gjendjes së rënduar shëndetësore, Lorita takohet për herë të parë me të. Pamja e jashtme e tyre është interesante: Maksi i veshur me të zeza sikur një ujk, ndërsa Lorita me një kapelë të kuqe duke i ngjasuar Kësulëkuqes. Ata dashurohen në çastin e parë, sidomos Maksi, i cili Loritën e përshkruan si vijon:

Maksit i bëri përshtypje gjithçka e saj – mollëzat sllave, hunda e vogël, buzët mishtore, gjinjtë që i dukeshin të mëdhenj nën duks, shkurt e shqip, i pëlqente gjithçka e saj – por sytë, sytë blu, ata sy ashtu, e habitën, e goditën, e tronditën më së shumti. Kësi sysh do të ketë pasur edhe Elsa e Aragonit. “Sytë e tu e sfidojnë qiellin kur hapet moti”, kujtoi ai. (f. 14.)

Më vonë takimet shpeshtohen, dashuria shtohet e po ashtu edhe skena erotike janë të pranishme. Maksi paraqitet paksa i shtyrë në moshë, i sëmurë, mbipeshë. Kësisoj, receptuesi çuditet se si një vajzë e re e aq e bukur dashurohet me të, por mund të konsiderojmë që retorika e Maksit, diskutimet rreth artit e ngjarjeve sociale etj., duket sikur e fascinojnë aktoren bukuroshe. Kjo në njëfarë mënyre na lë të nënkuptojmë idenë se dashuria është tejfizike. Këtë e forcon edhe parateksti i romanit, në të cilin paraqitet një konstatim i Lord Bajronit:

“Dashuria do ta gjejë rrugën nëpër shtigje, ku edhe ujqit kanë frikë të hyjnë”.

Një pyetje që mund të shtrohet vetvetiu gjatë leximit mund të jetë: a është Maksi personazh autobiografik? Pozitivistët do ta analizonin si të tillë, ndërsa formalistët do ta zhvishnin nga biografia autoriale. Në fakt, të dy palët do të kishin të drejtë, sepse Maksi ka edhe shenja referenciale, shembull: a e shkroi romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” Ag Apolloni apo Maks Ujkani?; a ishte në Debrecen të Hungarisë njëri apo tjetri? Përveç këtyre shenjave, padyshim që ky personazh është fiksional. Andaj, sikundër thotë edhe autori në një intervistë, Maksin duhet ta shohim dhe analizojmë si një alterego autoideografike që shfaq ide të ndryshme autoriale mbi artin, religjionin, shoqërinë, historinë, politikën e kështu me radhë.
Në anën tjetër Lorita karakterizohet si një vajzë e re që ka 23-vjeç, studente e aktrimit, studime që s’i kishte mbaruar akoma, madje i kishte lënë krejtësisht duke theksuar që diploma nuk vlen për një aktor.

Romani nuk ka një galeri shumë të gjerë personazhesh. Përveç atyre kryesore, kemi të bëjmë edhe me Sashën, Metin, Dritën, Gjyshin e Maksit e ndonjë tjetër. Megjithatë këta mund të konsiderohen si personazhe që kanë një funksion të caktuar për të cytur shtresën ideore të romanit, por nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e ngjarjeve apo kompozimit syzheik në përgjithësi.

Sa i përket ndërtimit tërësor, romanin mund ta konsiderojmë që ka një natyrë mikste. Jo vetëm në aspektin zhanror, por edhe në materializimin narrativ e diskursiv.

“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” cilësohet si një roman për nga zhanri, megjithatë brenda tij kemi të bëjmë me pjesë të ndryshme dramatike e poetike/muzikore. Struktura e tillë kombinatorike është karakteristikë e poetikës postmoderne në përgjithësi.

Drama si zhanër i veçantë që për bazë ka veprimin ngjizet ndjeshëm në modelimin kompozicional të romanit. Historia e vërtetë e përdhunimeve jepet përmes skenave që ndërtohen sipas modelit tipik dramatik, duke përfshirë edhe didaskalitë. Përveç këtyre, një pjesë të madhe të romanit e zë edhe drama e Juditës, skenarin e së cilës e rishkruan Maksi, regjisor Meti, ndërkaq në kastën e aktorëve kemi të bëjmë me Sashën në rolin e Holofernit, Loritës si Judita dhe Dritës në rolin e Leas. Por, pse rimerret kjo histori e lashtë dhe inkorporohet brenda syzheut romanesk? Për shkak se ajo na paraqet një analogji mes përdhunimit të femrave hebreje dhe përdhunimit të femrave shqiptare.

E veçantë, ndër tjerash, është edhe përzgjedhja e aktorëve. Në petkun e Holofernit dhunues është Sasha. Ky personazh është i nacionalitetit serb, ndërkaq pseudonimi mund të merret si shkurtesë e emrit Alaksandër. Paradoksale është edhe ndarja e skenës mes një serbi dhe një shqiptareje si puna e Dritës e cila po ashtu ishte përdhunuar gjatë luftës në bodrumet e Grand Hotelit, histori kjo që ia rrëfen Loritës me shumë emocionalitet.

Përveç sinkretizmit zhanror, veçoritë e romanit kanë të bëjnë edhe me pjesën e narracionit, i cili shtrohet në një mënyrë atipike. Bëhen alternime të shpeshta narrative, me ç’rast rrëfimi herë kalon te një personazh herë te tjetri. Po ashtu alternohet mes rrëfimit prej vetës së parë te ai i vetës së tretë. Andaj, llojet e narratorëve janë të shumëfishta; kësisoj kemi narratorë me dije të kufizuar, narratorin e gjithëdijshëm e kështu me radhë.

Koha e hapësira si dy kategori shumë të rëndësishme narrative te “Kësulëkuqja” janë reale. Ngjarjet vendosen në kohën moderne, duke na lënë të nënkuptojmë që gjithçka ndodhë në vitin 2022, përveç pjesës së fundit ku kapërcehet në kohë, atëherë kur dashuria mes Maksit dhe Loritës ishte kurorëzuar, madje kjo e fundit si e moshuar, u rrëfen nipave e mbesave për historinë e Kësulëkuqes moderne. Fundi i romanit sa i përket linjës së dashurisë mes Maksit e Loritës merr epilog të modelit happy end që është karakteristik për llojin e përrallës. Kjo na lë të kuptojmë ndër tjerash që edhe dashuria atipike kur është e vërtetë dhe zhvillohet larg dhunës do të ketë një fund të tillë.

Ndërkaq sa i përket toposit, hapësirat e romanit janë reale. Pra kemi të bëjmë me Prishtinën dhe Debrecenin e Hungarisë. E para mund të hetohet edhe nga emrat e tjerë hapësinorë si Teatri Kombëtar i Kosovës, Grand Hoteli e ndonjë tjetër, ndërsa i dyti ndërlidhet me pjesën e fundit, atëherë kur Maksi fiton një rezidencë një-mujore si shkrimtar në Debrecen prej ku duke evokuar historinë e vet shkruan romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.

Diskursi filozofik e kritik

Një veçori tjetër e romanit që duhet të vihet në theks është modelimi diskursiv, i cili është shumështresor.

Karakteri kompleks i Maksit shtron më së shumti çështje që kanë të bëjnë me rrafshe të ndryshme. Formimi i këtij personazhi bën që përsiatjet të jenë të shpeshta, njohuritë e mëdha, gjuha e veçantë e kështu me radhë. Maksi jep mendime edhe sa i përket religjionit; ai nuk mohon besimin, por i jep përparësi dyshimit. Ajo që më së shumti i pengon kur kemi të bëjmë me religjionin është nënshtrimi.

Artit i jep përparësi shumë të madhe, duke e vendosur mbi shkencën. Për të filozofia, muzika, arti figurativ e letërsia janë eternale.

Romani shquhet edhe për diskursin kritik që haset në pjesë të shumta. Kritika e ashpër i parashtrohet ndër tjerash edhe politikës, sidomos përkatësive ideologjike që për Maksin, lihet të nënkuptohet, janë krejt të pavlefshme për kohën dhe ndikojnë keq në shoqëri. Në pjesën e 19-të të romanit një kritikë e madhe u drejtohet edhe protestave ekstreme të grave që përgjithësojnë burrat për dhunën ndaj tyre. Me anë të kësaj në njëfarë mënyre bëhet thirrje që dhuna të shihet si e dyanshme. Ajo nuk përfaqëson një gjini. Maksi rikujton admirimin e Homerit për Helenën, Da Vinçin për Mona Lizën, Danten për Beatriçen e kështu me radhë, duke përfunduar me konstatimin që ajo, apo ai që e përkrahë turmën që kundër njërës gjini hedh gur, nuk është as grua, as burrë.

Gjuha e romanit modelohet duke iu përgjigjur standardes dhe zhargonit në rastet kur diskutohet mes personazhesh. Ka pjesë të shumta ku ndërfuten edhe proverba popullorë e ngjashëm. Po ashtu citohen thënie të ndryshme prej filozofësh e artistësh; përmenden emra të njohur nga arti e kultura e përbotshme; ndërfuten tekste këngësh; përdoret në disa raste gjuha angleze, serbe, ndonjë fjalë hungareze e kështu me radhë. Për fund vlen të theksohet që edhe ndërtimi i fjalive në përgjithësi është eliptik, duke bërë që romani të përshkohet nga një ritëm i shpejtë dhe dramacitet i jashtëzakonshëm.

Romani si evokim i përdhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë

Fundi i viteve të 90-ta në Kosovë u manifestua me ngjarjen më të dhimbshme për popullin shqiptar në përgjithësi. Lufta makabre e serbëve ndaj civilëve shqiptarë konsiston në një numër enorm të rrahjeve, maltretimeve e vrasjeve; krime këto që edhe sot e kësaj dite mbeten të pandëshkuara.

Përveç këtyre, përdhunimi i grave dhe burrave gjatë luftës mbetet akti më brutal që po ashtu ka lënë pasoja të tmerrshme fizike e psikologjike te viktimat dhe më gjerë.

Ky akt çnjerëzor është njëri prej motiveve kryesore te “Kësulëkuqja” e Apollonit. Por, mënyra e trajtimit të këtij motivi është atipike.

Sikundër e thekson vetë autori, e po ashtu këtë emër e hasim edhe në tekst, ndërlidhja e Kësulëkuqes me përdhunimin ka ardhur si ndikim nga studimet e hollësishme të hungarezes Maria Tatar mbi variantet e kësaj përralle, e cila gjenezën e saj e konstaton si një rrëfim përdhunimi, por që me kalimin e kohës shndërrohet në histori për fëmijë duke hequr pjesët e dhunshme.

Ngjarjet e tmerrshme të luftës, duke specifikuar përdhunimin, në roman dalin si fakte historike të dokumentuara.

Në pjesën e 8-të të romanit përmes një strukturimi dramatik na jepet historia e dhimbshme e Martë Tunajt e cila konsiderohet si gruaja e parë që publikisht rrëfeu përdhunimin e përjetuar nga serbët.

Pak më vonë, gjegjësisht në pjesën e 14-të të kompozicionit, kemi të bëjmë me një tjetër histori të njohur. Nga Marta kalohet te Buqja, emri përkëdhelës i Vasfije Krasniqit. Nëse Marta u bë zëri i parë i grave të përdhunuara, Vasfije Krasniqi shkoi më larg, sepse siç e dimë, ajo pa droje e ngritë këtë çështje jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, përkatësisht në Uashington. Ky veprim paraqet një çast tejet të rëndësishëm për këto viktima, duke ua shtuar shpresën për drejtësinë e munguar.

Tmerri i luftës nuk ndërlidhet vetëm me përdhunimin e grave. Shumë meshkuj u vranë, por shumë prej tyre edhe u torturuan dhe pësuan dhunim seksual. Përdhunimi i tyre na shfaqet në pjesën e 23-të, ku theksohet ngjarja e burrit i cili për herë të parë në Radio Televizionin e Kosovës, anonimisht, rrëfen përdhunimin e përjetuar.

Në roman, kjo ngjarje, sikundër ato të mëhershmet, gjithashtu ndërtohet sipas metodës dramatike që përçon një emocion të jashtëzakonshëm. Në vazhdim po japim një strofë, në të cilën Burri 2, thekson që dhuna seksuale ishte më makabre se vrasja për ta:

Desha të më vrisnin,
të më prisnin,
të më digjnin,
të më bënin çkado,
desha gjithçka tjetër të më bënin, besomëni,
vetëm atë jo. (f. 163.)

Lufta përveç grave e burrave nuk kurseu as fëmijët. Ata u maltretuan e përdhunuan. Shumë prej tyre u vranë pa dalë ende në këtë botë. Kjo më së miri shfaqet në pjesën e 25-të, në të cilën përmes një skene dramatike duket sikur Zëri i fëmijëve të vrarë qan e rënkon, por edhe gëzohet që s’është pjesë e një bote mizore.

Në roman përveç rimarrjes së historisë së këtyre figurave historike, shtrohen edhe disa fragmente të vërteta të grave të përdhunuara. Ato i mblidhte Maksi vazhdimisht me qëllim që ta shkruajë një roman me një tematikë të kësaj natyre. Nga disa prej tyre po veçojmë këtë:

Pesëdhjetë veta jena kanë. O sa britma, sa piskama u bo aty. Na kanë deshë me zor, me thikë m’i kanë pre jelekët. E pasha gjakun tu rrjedhë prej gjinit. Kambën ma kishin çallamish krejt. Besomë, që kur janë largu, kena ulë n’ledinë edhe, tu na ardhë marre me pa njana-tjetrën, veç e kemi ulë kryet e kemi kajtë. Me orë. (f.34.)

Prej këtyre që u thanë deri tash, kjo pjesë ka për qëllim që t’i shfaq disa karakteristika të romanit që kanë të bëjnë me shfaqjen e fakteve historike të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë me luftën e fundit në Kosovë.

Theksi padyshim që bie te përdhunimi si lajtmotiv që ndikon edhe në historinë e pasluftës. Madje, ka pjesë në roman që për këtë kategori konsideron se lufta e vërtetë kishte filluar pas luftës.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com

Të ngjajshme